Historia
Revolta e Spaçit
Në këtë kamp-burg është shënuar revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve të punës së regjimit komunist shqiptar, kundër dhunës dhe terrorit që ushtrohej ndaj të dënuarve. Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri dhe demokraci. Shkaqet e shpërthimit të revoltës ishin reflektim i kushteve çnjerëzore, punës skllavëruese, torturave fizike dhe psikologjike me të cilat përballeshin të dënuarit. Prej shfrytëzimit të punës së detyruar që kryenin të dënuarit politik në minierë, shteti siguronte të ardhura shumë të larta, sepse mineralet e nxjerra në Spaç furnizonin uzina dhe fabrika në vend, ose shiteshin apo shkëmbeheshin me kliring me shtete të ndryshme, kryesisht të Evropës Lindore. Pakënaqësia do të rritej mes tyre nga puna e rëndë dhe e papaguar, nga shpërfillja e të drejtave njerëzore, nga kushtet e këqija të jetesës, ushqimi në sasi të vogla, nga dhuna e vazhdueshme.
Dita 1
21 Maj 1973
Ora 05:00
Biruca
I dënuari Pal Gjergj Zefi i datëlindjes 1940, nga Rrushkulli i Durrësit, dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, i cili ishte ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit, për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart, në kohën kur nënoficeri i rojës hapi derën në një prej dhomave të izolimit dhe tentoi të marrë batanijen, Pal Zefi do të largohej duke shkuar drejt zonës ku qëndronin të burgosurit e tjerë. Kur u konstatua se Pal Zefi ishte larguar, nënoficeri do të vendosej në veprim për ta gjetur. Dëshmitë e ish-të dënuarve, por edhe të dokumenteve arkivore tregojnë se Pal Zefi do të largohej drejt një tarrace të repartit, me një shufër hekuri në dorë afërsisht 2 metër, duke kërcënuar se do të godiste çdo gardian që i afrohej.
21 Maj
Rreth orës 06:00
Reagimi
Në orën 06.30 të mëngjesit, rojet i bënë thirrje Palit të kthehej në dhomën e izolimit, por ai vazhdonte të refuzonte. Të burgosurit e tjerë, të lodhur me dhunën fizike, punën e rrezikshme, kushtet mjerane të jetesës, padrejtësitë që ju bëheshin vazhdimisht, reaguan duke i dalë në mbrojtje shokut të tyre. Rojet e repartit, të trembur nga përmasat që mori ngjarja u tërhoqën duke u larguar të frikësuar.
21 Maj
Rreth orës 15.30-18.00
Kundër-reagimi
Në orën 15.30 në vendin e ngjarjes do të mbërrinte grupi operativ i kryesuar nga prokurori i rrethit, shefi i policisë së rrethit, shefi i seksionit të sigurimit dhe hetuesi i degës së punëve të brendshme. Pasi u njohën me situatën, filluan veprimet e para. Rreth orës 16:00-17:00 u bë arrestimi i të dënuarit Pal Zefi dhe më pas i të burgosurve të tjerë. Drejtuesit e kampit që kryen arrestimet u shoqëruan nga një turmë, ndërmjet të cilëve Dervish Bejko thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër”. Rreth orës 18:00, mbas lëshimit të sanksionit nga prokurori, filloi puna për arrestimin edhe për 5 të dënuarit e tjerë. Në këtë kohë, në tarracë u grumbulluan shumë të dënuar që filluan të lëviznin të revoltuar.
21 Maj
Rreth orës 21.00
Shpërthimi i revoltës
Në orën 21:00 të dënuarit thyen dhomat e izolimit dhe nxorën jashtë të burgosurit. Meqenëse disa shkelën në zonën e ndaluar, rojet hapën zjarr dhe ky zjarr u shoqërua me breshëri të tjera nga drejtime të ndryshme, për demonstrim nga ana e nënoficerëve. Turma e të dënuarve do të grumbullohej në shesh dhe në tarracë, ku disa prej tyre filluan të mbajnë fjalime e të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor, thirrje për kryengritje. Demonstrimi i tyre vazhdoi dhe gjatë kësaj kohe u thanë parulla me përmbajtje kundërrevolucionare: “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Nuk punojmë as sot as mot”, “Shokë ushtarë dorëzoni armët”. Tashmë revolta kishte marrë edhe karakter politik.
Dita 2
22 Maj 1973
Orët e para të mëngjesit
Ngritja e Flamurit
Në orët e para të mëngjesit të datës 22 maj, në katin e tretë të pallatit të tyre, të dënuarit ngritën një flamur të realizuar prej tyre pa yllin komunist. Një grup të burgosurish gjetën një bezë të kuqe mbi të cilin një i dënuar pikturoi me bojë të zezë, një shqiponjë. Të dhënat e mbledhura më pas, tregonin se shqiponjën mbi flamur e kishte bërë Mersin Vlashi. Flamurin e kishte ngritur Gjet Kadeli, i cili përgatiti shtizën dhe së bashku me Rexhep Lazeri dhe Murat Martën, e ngritën në këndin e djathtë të tarracës, që shihte mbi sheshin qendror. Shuaip Ibrahimi dhe Ndrec Çoku bënin roje te flamuri. Të dënuarit dogjën tabelat e emulacionit socialist, për t’i dhënë një jehonë të gjerë ngjarjes dhe të bëhej e njohur për të gjithë. U këndua himni dhe u recituan vjersha nga Gjergj Fishta, Asdreni dhe Fan Noli. Tashmë revolta kishte marrë karakter politik duke u kthyer në të parën lëvizje antikomuniste në burgjet shqiptare.
22 Maj
Rreth orës 03.00
Mbërritja e zv. ministrit
I gjithë kampi ishte në duart e të dënuarve. Brenda terrorit me gjemba nuk kishte asnjë polic. Përtej tij, forcat e shumta kishin kryer rrethimin dhe po përgatiteshin për të shtypur revoltën. Në agim, në kamp-burgun e Spaçit do të mbërrinte Feçor Shehu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili më vonë, pasi shkoi në pikën dominuese të kampit, iu bëri thirrje të burgosurve për të vendosur rregull dhe që të zbatonin rregulloren e brendshme.
22 Maj
Rreth orës 09.00
Kërkesat
Një përfaqësi e të dënuarve politikë e përbërë nga Paulin Vata, Hajri Pashaj dhe Nuri Stepa jo vetëm që nuk e përfilli thirrjen por iu kundërvu me kërkesat: “të mos punojmë asnjëherë në minierë, por të na kaloni në ndërtim, të shikohet çështja jonë për të na liruar sepse jemi pa faj, të bëhet amnisti”. Pa dhënë përgjigje për kërkesat iu kërkua të dënuarve që deri në orën 17.00 të pasdites të ishin dorëzuar, në të kundërt policia dhe ushtria do të ndërhynin me dhunë. Sipas disa dëshmive, përveç shumë makinave me policë, ishte edhe një makinë me lëndë kimike helmuese.
22 Maj
Rreth orës 17.00
Pa ujë dhe pa ushqim
Autoritetet e burgut kishin ndërprerë ujin dhe ushqimin. Më të moshuarit dhe të burgosurit që ishin të sëmurë mezi po i bënin ballë motit të nxehtë dhe mungesës së ujit dhe ushqimeve. Në shenjë solidariteti të dënuarit filluan të shpërndanin ujin dhe ushqimin që kishin rezervë me ata që ishin më të moshuar dhe më të dobët fizikisht.
Dita 3
23 Maj 1973
Në mëngjes
Mposhtja e revoltës
Në mëngjes, pas 52 orësh përplasjeje të dënuarit pranuan kushtet e vëna nga komanda dhe nuk kundërshtuan kur forcat policore, ushtarake hynë në rrethimin e brendshëm të burgut, duke marrë kontrollin e ngjarjes dhe shtypur revoltën me dhunë. Revolta u mposht, të gjithë të dënuarit u vunë në një shesh për kontroll. Të dënuarit Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgo Papa dhe Dervish Bejko, vijuan të refuzonin bindjen e tyre, duke vijuar forcërisht përballjen me rojet e armatosur. “Grupi i operacionit, mbasi u bëri disa thirrje, ju kundërvu atyre dhe i mposhti” shkruhej në raportin mbi ngjarjen. Pas arrestimit të të burgosurve, u theksua se ata që organizuan revoltën do të dënoheshin rëndë nga ligjet e pushtetit.
Listë emërore e ish-të dënuarve në kamp-burgun e Spaçit, pjesëmarrës në Revoltën e Spaçit datë 21-23/05/1973.
Referencë:
– Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, “Disa konkluzione mbi një ngjarje të jashtëzakonshme në repartin e riedukimit Spaç”, Dosja 335, viti 1973.
– Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), Fondi 489, Viti 1973, Dosja 38, Fleta 11, “Relacion Sekret”, “Mbi një ngjarje të rëndë të jashtëzakonshme shkaktuar nga të dënuarit e repartit 303 Spaç”. Kronika vjen e dokumentuar nga komisari i repartit, Shahin Skura dhe komandanti Haxhi Goro, një muaj pas ngjarjes të 23 majit 1973”.
– F. Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, D. ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”.