Të dënuarit
Lista emërore e të dënuarve në Repartin e Riedukimit nr. 303 Spaç-Mirditë, për vitet 1968-1991
Lista emërore e të dënuarve në Repartin e Riedukimit nr.303 Spaç-Mirditë e cila përmban rreth 2123 emra i është vënë në dispozicion AIDSSH-s nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë. Sipas verifikimeve të kryera, listës i mungojnë emra të tjerë të ish-të dënuarve politikë, që kanë vuajtur dënimin në kampin-burg të Spaçit.
Për cdo pasaktësi me emrat në listë na shkruani në info@autoritetidosjeve.al
Numri i të burgosurve në Kampin e Riedukimit 303 Spaç, gjatë viteve 1974-1991
Në dosjen ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”, V. 1979 dhe nga relacionet që i janë dërguar Drejtorisë së Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasqyrohen të dhëna mbi numrin e të burgosurve politikë, ordinerë, të dënuar për krime të ndryshme, në Kampin e Riedukimit nr.303 Spaç, që prej vitit 1974-1991.
Në vitin 1984, në repart u vendosën edhe të dënuar për krime ordinere, të aktivizuar kryesisht për nxjerrjen e materialit të bakrit, në minierën e bakrit në Spaç. Në qershor të vitit 1990 u bë transferimi i të dënuarve për krime kundër shtetit, në Repartin 311 Qafë Bari, në Repartin 305 Sarandë dhe në Repartin 313 Tiranë. Nga kjo kohë e në vazhdim, në Spaç vazhduan të qëndronin vetëm të burgosurit ordinerë, deri në fund të muajit korrik 1991.
Gjendja e të burgosurve politikë në Spaç
Sipas një Pasqyre të gjendjes së përgjithshme të të dënuarve në kampin-burg të Spaçit, që gjendet në arkivin e AIDSSH-s dhe i përket vitit 1986 mund të shihen qartë llojet e akuzave dhe krimeve të përcaktuara në atë kohë nga regjimi totalitar si: agjitacion e propagandë, bisedë dhe tentativë arratisjeje, spiunazh, sabotim i vijës së partisë, pjesëmarrje në revoltë, diversion etj. Të gjitha këto konsideroheshin krime kundër shtetit, ose shkurtimisht në dokumente KKSH.
Pasqyra tregon se nga 363 të burgosur politikë që vuanin dënimin në Spaç, 120 vetë janë dënuar me akuzën “agjitacion e propagandë” pra vetëm për shprehjen e mendimit të tyre të lirë që nuk përkonte me politikën e partisë. Të burgosurit që ishin dënuar vetëm sepse kishin biseduar për t’u arratisur janë 9 vetë ndërsa 88 ishin të dënuarit politikë për tentativë arratisjeje.
Dokumenti përmban edhe disa ndarje të tjera të të dënuarve sipas moshës, shkollimit, preardhjes dhe qëndrimit politikë të familjes apo vendit të origjinës. Ndonëse jo të gjitha faqet e pasqyrës janë të plotësuara, mënyra e hartimit të statistikave dhe ndarjes së tyre flet shumë për përndjekjen e të gjithë atyre që regjimi i konsideronte apo shpallte “armiq të popullit”.
Rregullorja dhe orari i veprimit
Dita e të dënuarve politikë në kampin-burg të Spaçit ishte e orientuar në zbatim të rregulloreve të kampit ku si synim ishte forcimi i regjimit të vuajtjes së dënimit ndaj të dënuarve. Rregullorja e brendshme e regjimit për të dënuarit, hartohej nga komanda e repartit, i dërgohej në Drejtorisë së Zbatimit të Vendimeve Penale si dhe Prokurorisë së rrethit Mirditë për miratim. Rregulloret kishin kriter sigurimin dhe riedukimin e të dënuarve, regjimin e brendshëm si dhe ato për realizimin e normës përkatëse në bazë të detyrave. Rregulloret ishin të ndara në dy pjesë; e para kishte si objekt 21 pika ku përmendeshin të Drejtat dhe Detyrimet e të dënuarve, dhe e dyta, sjelljen në rajonin e banimit dhe në frontin e punës. Rregulloret e brendshme kishin si synim jo vetëm të dënuarit për Krime kundër shtetit, por dhe për krime të tjera (foto dokument).
Nga një tabelë oraresh ku tregoheshin të gjitha veprimet e caktuara ndër të cilat: zgjimi, ngrënia, puna, pastrimi dhe ora e lexim shtypi dhe materialeve të Partisë. Foto është nxjerrë nga një dokument i arkivit të Ministrisë së Brendshme ku tregohet vetëm orari i një turni, por në Spaç të dënuarit politikë punonin në 3 turne.
Për të dënuarit kishte dhe kontrolle rutinë të grumbullimit të tyre në raste situate ku caktoheshin dhe normat kohore të gatishmërisë për grumbullimin e sigurimin e të dënuarve. Pasqyrohet në tabelë grumbullimi i të dënuarve nga fronti i punës në pikën e caktuar. Apeli dhe kontrolli fizik nga ana e rojeve kryhej në bazë zone para se të dënuarit politikë të futeshin në rajonin e banimit.
Referencë: Fondi 10 i Arkivit të Ministrisë së Brendshme
Në çdo vit, në kampin -burg të Spaçit, pati rreth 900-1100 të burgosur, 20% e të cilëve ishin të moshës 18 deri në 25 vjeç; 75% ishin të moshës 25 deri në 60 vjeç, dhe 5% ishin të moshave nën 18 vjeç apo mbi 60 vjeç. Të dhënat pasqyrohen në grafikun e mëposhtëm.
Siç shihet edhe nga grafiku përqindjen më të madhe 75%, e zënë mosha 25-60 vjeç, mosha më e fuqishme për punë të rëndë.
Për nga dënimet:
Të dënuar deri në 5 vjet heqje lirie, ishin rreth 25% e tyre.
Të dënuar me nga 5 deri në 10 vjet heqje lirie, ishin rreth 38% e tyre.
Të dënuar me 10 deri në 15 vjet heqje lirie, ishin rreth 15% e tyre.
Të dënuar me mbi 15 vjet heqje lirie, ishin rreth 22% e tyre.
Të dhënat pasqyrohen në grafikun e mëposhtëm.
Në burgun e Spaçit, gjatë gjithë viteve, rreth 55% e të burgosurve ishin përsëritës dhe një pjesë edhe të ridënuar aty, gjatë vuajtjes së dënimit.
Një parameter shumë variabël ka qenë origjina e të burgosurve. Kjo sepse faktorët ishin gjithmonë subjektivë. Më shumë të burgosur në raport me popullsinë, ka patur nga zonat kufitare.