Dëshmitë e fëmijëve

Spaçi në sytë e fëmijëve, është një zë dëshmish që sjell kujtimet e atyre që dikur ishin fëmijë dhe vizituan baballarët apo të afërmit e tyre gjatë kohës që ata vuanin dënimin në kampin burg të Spaçit. 

Dëshmitë e para janë mbledhur në kuadër të librit “Dielli lind në Spaç”. AIDSSH mirëpret të gjithë ata që duan që kanë shkuar në Spaç kur ishin fëmijë dhe që duan të vendosin në këtë faqe.

Belina Haxhiaj

E bija e ish - të dënuarit politik Hysen Haxhiaj. Belina kujton:

“Babai im u arrestua kur unë isha 2 vjeç e gjysmë. Kur isha në kopsht, më kishin thënë që babi ishte në spital pasi isha shumë e vogël që të kuptoja rrethanat. Çudia ime më e madhe ishte se qe një spital i rrethuar me ushtarë. Dhe çdo presion veprimi, pëshpëritjeje, frike, ankthi dhe të fshehurat në rrugët e errësuara nga nëna ime më bëri të kuptoj që ky spital është një burg dhe që unë duhet të heshtja për aq kohë sa babi qëndronte atje, për çdo vizitë apo takim vjetor tek babi.”

Etleva Maraj

Mbesa e ish - të dënuarit politik në Spaç, Agron Hoxha. Daja i ka vendosur emrin dhe për herë të parë ata u takuan në burg, kur ajo ishte rreth 7 vjeç. Etleva kujton:

“Nëpërmjet lotëve të nënës dhe gjyshërve të mi njoha dajën. Kam qarë shumë për dajën, por nuk e dija përse. Kur e takova mes me gjemba, e kuptova. Rruga për në Spaç ishte e tmerrshme. Kur lodhesha, mami dhe gjyshërit nuk më merrnin dot në krahë sepse i kishin duart të ngarkuara me ushqime. U trondita kur pashë dajën të qethur dhe të veshur keq, krejt ndryshe nga njerëzit që isha mësuar të shikoja. Më kujtohet polici që nuk më la të përqafoja dajën para se të largoheshim.”

Afërdita dhe Xhaferri

Ishin fëmijë kur babai i tyre, Fadil Dushku ish - i dënuar politik, në burgun e Spaçit. Afërdita, ishte më e madhe se vëllai i saj dhe ruan kujtime nga takimi me të atin.

“Shumë gjëra i mbaj mend me detaje. Kur doja ta puthja babin, duhet të më ngrinin në krahë, nëna ose mami. Dritarja ishte e vogël dhe koka nuk hynte që ta puthnim njëri- tjetrin. Mbaj mend zhurmën e shulave të dyerve prej hekuri…njëherë gjyshja qau shumë dhe i tha:”Je dobësuar”. – Kam qenë sëmurë”, – i tha babi. Më pas na dërgoi një letër ku shkruante se bëhej nga një vend i vogël. Më vonë e kuptuam që ai vendi i vogël ishte biruca.”

Pranvera

Vajza e Ylli Alibalit dhe mbesa e Xhevat Alibalit, dy vëllezër ish - të dënuar politikë kujton kur takonte xhaxhain e saj në burgun e Spaçit:

“Ishte një ditë e vrenjtur dhe binte shi i imët. Në rrugë nuk kishte lëvizje makinash dhe tek-tuk kalonte ndonjë kamion që merrte mineralet nga miniera. Një shofer ndaloi dhe na hypi në kamionin e tij dhe kjo për shkak të dhembshurisë së tij kur pa një grua me vajzën e vogël, por na la shumë larg nga burgu i Spaçit, sepse e kishin të ndaluar që të bënin këtë gjë. Kemi ecur në këmbë deri në kamp. Mbaj mend vetëm male përreth dhe ne që ecnim nëpër një rrugë të lodhshme dhe me torbat e ushqimeve në krahë.”

Telefon: +35542210424
 

© 2025 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.