Fondi Operativ
Dosjet operative (përpunimi), janë krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit gjatë veprimtarisë së tij, për objektet e marra në përpunim e kontroll për veprimtari armiqësore. Me marrje në përpunim kuptohet kontrolli i një ose disa individëve të evidentuar për veprimtari armiqësore. Kur fajësia u ishte vërtetuar në mënyrë operative dhe ligjore quheshin objekte në përpunim aktiv të kategorisë 2/A. Qëllimi i grumbullimit të informacioneve bëhej në kuadrin e zbulimit, parandalimit, dokumentimit e goditjes së veprimtarisë të ashtuquajtur armiqësore. Këto të dhëna grumbulloheshin nga burime si; kontrolli postar, përgjimet me mjete të teknikës operative, vrojtime etj. Përpunimi ndiqej nga një ose më shumë bashkëpunëtorë të cilët drejtoheshin dhe merrnin detyra nga punëtorët operativë.
Dosja e përpunimit krijohej për çdo shtetas shqiptar, shtetas të huaj dhe persona pa shtetësi, me banim të përhershëm ose të përkohshëm në Republikën Popullore Socialite të Shqipërisë (RPSSH), të përgjegjshëm, që ka mbushur moshën 14 vjeç, kur për të ka të dhëna të vërtetuara se zhvillon veprimtari armiqësore/keqbërëse, në drejtim të të cilit përdoreshin llojet e format e punës operative, për të zbuluar në gjerësi e thellësi dhe dokumentuar e ndërprerë në kohë veprimtarinë e tij.
Kjo tipologji dosje përmban në brendësi; listën e punëtorëve operativë që mbajnë dosjen, listën e personave që njihen me dosjen, rrethin e çështjeve, listën e personave që implikohen në veprimtari armiqësore, fletën e kontrollit në kartotekë, të dhëna që kanë shërbyer për marrjen në përpunim, vërtetim biografik, certifikatë familjare, vendim për marrjen e personit në përpunim, plan masash operative, të dhëna gjatë përpunimit, vijë sjellje, raporte agjenturale, informacione, plan kombinacioni me T.O. (teknikë operative), informacione me T.O., fotografi, vendime, procesverbal kallëzimi, ekstrakte, korrespondenca të ndryshme etj.