Të huajt për Spaçin
Amnisty International për Spaçin

Shkelja e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe veçanërisht kushtet në të cilën vuanin dënimin të burgosurit politikë, ishin edhe në vëmendjen e opinionit publik botëror. Kushtet në kamp – burgun e Spaçit, me një popullsi prej mbi 500 të burgosurish politikë, janë cilësuar veçanërisht të ashpra në raportin për të drejtat e njeriut të vitit 1982 të përgatitur dhe publikuar nga organizata “Amnisty International”. (foto)
Sipas këtij raporti të burgosurit, nxirrnin bakër me turne prej tetë orësh, 6 ditë në javë, pa asnjë lloj veshjeje mbrojtëse. Objektivat e prodhimit janë përshkruar si të ngarkuara dhe për të burgosurit të cilët nuk arrinin ti përmbushnin këto objektiva, do të përballeshin me orë shtesë pune ose izolim. Të burgosurit flinin në baraka të pa ngrohura, me dyshekë kashte mbi platforma druri. Ushqimi ishte i pakët dhe jo cilësor. Ishte e nevojshme të plotësohej me pako nga familjet e të burgosurve dhe me ushqime te prodhuara në fermat bashkëngjitur kampeve të burgut, të cilat bliheshin nga vetë të burgosurit. Kujdesi mjekësor, i ofruar nga stafi i rekrutuar kryesisht nga radhët e të burgosurve, ishte i pamjaftueshëm.
Në raportin e botuar në dhjetor 1984, organizata “Amnesty International” shprehej e shqetësuar për mohimin e të drejtave të njeriut dhe kufizimin e lirive politike. Ndërsa vinte në dukje mungesën e lirive themelore, sociale dhe politike për të gjithë shqiptarët, “Amnesty International” raportoi mungesën e garancive ligjore për të burgosurit politikë gjatë hetimeve dhe procedurave gjyqësore. (foto)
Një letër nga Austria
Në Fondin nr. 10, dosja nr. 278, Viti.1985, gjendet një dokument i cili përmban të dhëna mbi një letër të ardhur nga Austria në adresë të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mirditë. Sipas dokumentit, letra është shkruar në anglisht, por është përkthyer dhe dërguar në Kryeministrti bashkë me origjinalin. Në fund të shkresës një shënim tregon për disa të dhëna nga Spaçi, që përmenden në letër.
Referencë: Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Fondi nr.10, dosja nr.278, Viti 1985