Artikuj dhe Analiza

Dr. Gentiana Sula
Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit
Spaçi në dritë, qasje në burimet parësore për një kujtesë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse
Kthimi në të shkuarën e Shqipërisë komuniste sjell dhe përkujtimin e një errësire të thellë. Kampi i punës së detyruar në Spaç, një plagë e hapur e historisë sonë, ishte vend ku liria dhe të drejtat u shkelën dhe rreth 2000 burra, por dhe familjet e tyre u trajtuan në mënyrë çnjerëzore. Sot përpjekja për të kuptuar këtë të kaluar të rëndë është e domosdoshme që të mos përsëritet asnjëherë.
Me mundësimin e qasjes në burime parësore që realizojnë mendimin kritik dhe analiza më të thelluara në këtë episod të errët, u bë evidentimi i dokumenteve në renditjen e arkivave për Spaçin dhe të personave që vuajtën aty, si dhe u mblodhën dëshmi, foto e letra etj. duke sjellë një kontribut të pazëvendësueshëm të AIDSSH-së.
Botimi me temë “50 vjet nga revolta në burgun e Spaçit – Dëshmojnë të mbijetuarit dhe familjarët e tyre” mbart rëndësinë e njohjes së historisë së burgut dhe kampit të punës së detyruar të Spaçit si një vend emblematik ku shfaqet egërsia e diktaturës komuniste. Brenda këtij kampi gjejmë viktimat e regjimit, profilin e tyre në shoqërinë e atëhershme shqiptare, gremisjen në burgun më të egër të vendit, vuajtjet, mundimet dhe pasojat e tmerrshme që ranë mbi ta në gulagun shqiptar.
Në errësirën e burgut gjejmë edhe nota rezistence ndaj regjimit, gjë mjaft e rrallë në atë kohë e në atë kontekst. Për këtë arsye, në këtë botim është marrë në shqyrtim edhe revolta e të dënuarve të Spaçit datuar më 21-23 maj 1973. Kjo revoltë, për nga përmasat që mori, konsiderohet si më e rëndësishmja në burgjet e Shqipërisë komuniste. Pas shtypjes me dhunë të revoltës, 4 të dënuar politikë u ekzekutuan me pushkatim ndërsa rreth 70 të tjerë u ridënuan. Trupat e të pushkatuarave rezultojnë ende dhe sot të pagjetur.
Edhe pse është trajtuar tipologjia e këtij kampi- burg, shumë fakte mbeten ende të zbehta. Ky studim vjen në dritën e botimit për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve, të tilla si: A e njohim plotësisht punën e detyruar si një mjet ndëshkimi për të burgosurit politikë? Cilat ishin tiparet më të shprehura dehumanizuese të sistemit? Në cilat momente dëshmohen shkelje të të drejtave të njeriut ndaj të burgosurve?
Përmes këtij botimi dhe të tjerave të kësaj natyre, Autoriteti synon përmbushjen e objektivave të
Planit Strategjik 2023-2028, ku cilësohet prezan- timi i Autoritetit si një platformë për angazhimin publik dhe kuptimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri. Faktet e mbledhura mbështetësin pro- cesin e identifikimit dhe rigjetjes së mbetjeve të viktimave që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit.
Konteksti historik dhe social i ngjarjeve të mbuluara në botim
Kampi nr. 2 u stacionua në Spaç në vitin 1968, pas më shumë se 17 vite si një kamp lëvizës pune ku angazhoheshin kryesisht të dënuarit poli- tikë, i cili në dokumentet zyrtare quhet “Reparti i riedukimit 303, Spaç-Mirditë”. Vetëm në korrik të vitit 1991, me rënien e regjimit komunist, kam- pi-burg i Spaçit u mbyll përfundimisht.
Vitet ‘60 përfaqësojnë në historinë e diktaturës në Shqipëri, vitet e izolimit të madh që në kontekstin e jashtëm zuri fill pas ndarjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe rënies së marrëdhënieve me të gjitha vendet komuniste të Lindjes.
Por kjo periudhë përputhet edhe me nisjen një miqësie të re të regjimit të Tiranës dhe përafrimit me modelin kinez të totalitarizmit, një tjetër ver- sion stalinist i qasjes së diktaturës ndaj lirisë dhe njerëzve që e shfaqnin atë.
Në këtë periudhë, për shkak të rënies së shpejtë ekonomike dhe mungesës së burimeve, regjimi shtoi represionin, ndërkohë që kjo kohë u ndoq edhe me rënien e besimit mes vetë udhëheqjes komuniste. U zbuluan kështu grupe të reja armiqësore.
Shkeljet e të drejtave të njeriut arritën kulmin e tyre gjatë kësaj faze. Më 1961 në Shqipëri re- zultonin 4345 të burgosur, të ndarë në gjashtë kampe pune dhe katër burgje. Gjatë viteve ‘60 lufta e klasave u rikthye edhe më shumë në metodat staliniste. Rifilluan gjykimet dhe dhëniet e dënimeve me vdekje. Në këto vite u kryen 139 ekzekutime.
Puna e detyruar u përdor gjerësisht si një mekanizëm shtypës dhe shfrytëzues për të burgosurit politikë përgjatë 45 viteve të historisë së regjimit. Sipas një raporti të Departamentit të Shtetit drejtuar Kombeve të Bashkuara në vitin 1955, puna e detyruar është përdorur në masë në Shqipëri që me ardhjen në fuqi të regjimit komunist në nëntor 1944. Më 25 maj të vitit 1951, Ministri i Punëve të Brendshme urdhëroi krijimin e kampit nr.2, i quajtur më vonë “Reparti 303”. Në harkun kohor 1951-1968, të burgosurit politikë të këtij kampi punuan me detyrim dhe në kushte të vështira në hapjen e kanalit Peqin-Kavajë, Vjosë-Levan-Fier, Devoll-Thanë. Ndërtuan fushën e aviacionit në Urën Vajgurore, aeroportin e Rinasit, Sanatoriumin, Kombinatin e Mishit, Peliçerinë, fermën “Gjergj Dimitrov”, Uzinën e Traktorëve, Uzinën e Sodës Kaustike, Fabrikën e Çimentos në Elbasan. Në 1968 të burgosurit politikë u transferuan në minierën e bakrit dhe të piriteve në Spaç. Minerali i bakrit ishte i kërkuar në tregjet e huaja dhe çmimi i tij ishte mjaft i leverdishëm për ekonominë e mbyllur shqiptare. Vetë regjimi kishte nisur përpjekjet për të ndërtuar një cikël të mbyllur të përpunimit të mineralit, ndërkohë që me ndihmën e Kinës u ngrit edhe një repart për ndarjen e arit nga minerali. Plani për nxjerrjen e bakrit dhe piritit përcaktohej nga komanda. Norma ditore njoftohej çdo ditë gjatë apelit. Plotësimi i normës dhe realizimi i planit ishte një kusht i padiskutueshëm për drejtuesit e kampit. Norma ditore për një vagonist ishte 4 vagonë. Një vagon pirit ishte 2 tonë dhe një vagon bakër ishte 1.5 ton. Në rast të mosrealizimit të normës, të dënuarit ndëshkoheshin dhe mbylleshin në birucat e izolimit. Të dhënat që dolën nga arkivi i “Albakrit” treguan se në vitin 1969 sistemi i minierave nxirrte vetëm 50 mijë tonë bakër, ndërsa në viti 1981 prodhimi u rrit me rreth 200 mijë tonë në vit. Nga kryqëzimi i dokumenteve arkivore, grupi i punës në Autoritet doli në përfundimin se përgjatë 23 viteve Spaçi u kthye në një kamp të punës së detyruar, ku 2000 të burgosur politikë kanë prodhuar 2.82 milionë tonë bakër dhe 1.3 milionë tonë pirit, nga të cilat u përftuan 2500 kg ar. Çdo i dënuar që realizonte normën paguhej me 10% të pagës së një minatori në liri. Në vitin 1953 u vendos se kur i dënuari kur tejkalonte normën ii100% kishte të drejtën e uljes së dënimit me 0.02 ditë në muaj dhe një pagesë prej 35% të vlerës së kryer. Në rast të mosrealizimit të normës, i zbritej pagesa në proporcion të kundërt. Në korrik të vitit 1968 u hoq shpërblimi me pagesë dhe zbritje të ditëve në burg, për ata të dënuar politikë që kalonin planin me 25%, duke argumentuar se puna e detyruar nuk po shërbente për riedukim, por për përfitime personale. Vendndodhja dhe statusi i kampit Spaçi është i vendosur në pjesën verilindore të Mirditës, në një zonë të shkretë shkëmbore, pa bimësi, larg qendrave të banimit. Relievi i ashpër ndiqet nga një përrua me ujëra që kanë marrë ngjyrën e zbehtë të mineralit të bakrit. Klima me një vapë të padurueshme në verë dhe acar në dimër, e bënte Spaçin një terren të përsosur për izolimin e të burgosurve. Ndërtimi i kampit nisi me ngritjen e disa ndërtesave të vjetra, por më pas u konsolidua duke ndërtuar dy pallate, ndërsa në të njëjtën kohë u hapën edhe galeritë e minierës së bakrit jo shumë larg nga vendi ku u ngrit kampi. Pak kilometra më tutje u ngrit fabrika e pasurimit të bakrit në Reps, ndërkohë që afro 10 km më në jug ishte Uzina e Shkrirjes së Bakrit në Rubik bashkë me impiantin e ndarjes së arit nga minerali. Në janar të vitit 1969, Drejtoria e Punëve të Brendshme të Mirditës (ana e Sigurimit të Shtetit), hapi dosjen e “Objektit të rëndësisë së veçantë për repartin e riedukimi 303, SpaçMirëditë”, duke përcaktuar kështu edhe statusin e veçantë të tij, në lidhje me kontrollin e rreptë që u ushtrua duke dhe qëllimin e “sigurimit fizik të të dënuarve, riedukimin dhe aktivizimin në punë”. Deri në fillim të vitit 1980 numri i të burgosurve ishte midis 900 dhe 1200 vetëve. Në raportet e këtij viti rëndësia e tij përcaktohej si “politike, ekonomike dhe strategjike” . Kushtet e jetesës dhe të punës së të burgosurve në kamp Dëshmitë dhe dokumentet e përfshira në këtë botim flasin për torturë, dhunë, ndëshkime në birucë nën temperaturat -15 gradë, vdekje nga shembja e galerive, vetëvrasje nga dëshpërimi. Ilias Kajo, i dënuar më akuzën “për agjitacion e propagandë” vuajti dënimin me 8 vite burg në Spaç. “Çanga e zgjimit binte në orën 5. Pas apelit, në orën 6, dilnim nga kampi dhe i ngjiteshim malit. Ecnim një orë e gjysmë, derisa mbërrinin në galeri. Aty përshëndeteshim me shprehjen ‘Mirëdalsh!’, se edhe mund të mos dilnim më gjallë”. Të burgosurit politikë në këtë kamp ishin një makineri pune. Nga puna e të burgosurve siguroheshin të ardhura të konsiderueshme që përdoreshin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Ministria e Financave për investime. Puna ishte në tre turne, i pari niste në 6.30 ndërsa i fundit në 22.30. Ushqimi ishte i pakët, konsiderohej një ditë festive nga të burgosurit kur servirej fasule dhe darka mbyllej me çaj e pak bukë. Kujdesi shëndetësor ishte i pamjaftueshëm, higjiena e pastërtia ishin alarmante.
Grupi i punës i ngritur me urdhrin e nr. 22, datë 06.02.2023 të Kryetares së Autoritetit, për or- ganizimin e aktiviteteve përkujtimore me rastin e 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit realizoi mbi 50 dëshmi audio-vizuale të të mbijetuarve nga dënimi në Spaç dhe familjarëve të atyre që u pushkatuan.
Për Spaçin është folur shumë ndër vite. Për të kanë dhënë dëshmi njerëz të njohur të kohës, si: Visar Zhiti, poet, ish-ministër, Fatos Lubonja, pub- licist e aktivist në media, piktori Maks Velo, por AIDSSH-ja u thellua më tej duke zgjeruar rrethin e dëshmitarëve. Zërat e tyre deri dje të heshtur tani janë pjesë e historisë. Pyetësori i hartuar nga ekspertë të AIDSSH-së ndihmoi që të sigurohen dëshmi autentike nga ky kamp.
Intervistat në vijim flasin për punën e rëndë, tra- jtimin mizor, arsyet e revoltës, solidaritetin dhe qën- dresën e familjes, ëndrrat e fëmijëve për arsim, të prera në mes, stigmën e “armikut të popullit” si dhe shpresën kuptimplotë që eshtrat e familjarëve të pagjetur do të kthehen një ditë në familje.
Gëzim Çela ishte vetëm 21 vjeç kur u arrestua “për tentativë arratisje”. Ai tregon se bënte më tepër se normën e punës. “Po të bëje normën nuktë binin në qafë. Ngarkoja katër vagonë në ditë me pirit, në të kundërt më priste biruca.”
Musa Hoxha, i dënuar “për agjitacion e propa- gandë” në moshën 21-vjeçare, punoi në zonën më e vështirë të minierës, zona 2, pa sigurim teknik dhe në temperatura 45-50 gradë. “Shpesh kur nuk mundesha ta bëja normën, më lidhnin për dy tre orë me pranga tek shtylla, në dëborë. Në një nga këto ndëshkime hekurat më shpër- thyen damarët dhe me ra të fikët. Pas kësaj bëja ç‘është e mundur të realizoja normën se nuk mund të duroja birucën apo qëndrimin lidhur pas shtyllës. Biruca ishte e tmerrshme. 2-3 metra ka- trorë, vetëm me çorape, të hiqnin dhe pallton dhe trikon e leshit. Të jepnin batanije vetëm në orën 7.”
Ilir Malindi, i dënuar në moshën 20-vjeçare, tre- gon: “Unë, si minator që isha, punoja në zonën e dytë, në zonën e piritit. Piriti është material nga nxirret acidi sulfurik, një vagon pirit peshon 2 tonë. Duhet të nxirrnim katër vagonë për çdo njërin, d.m.th. 6 tonë për person.
Ne ishim të organizuar në grupe, 3 veta në grup, të ngarkuar të nxirrnim rreth 20 tonë material jashtë. Piriti ka veçanti, krijon temperaturë të lartë në reak- sion me ujin, lagështinë, kështu që temperaturat në vendin e punës shkonin deri në 45 -50 gradë.
Nga 45 gradë dilje në -15 gradë, për të zbrazur materialin. Jashtë ishte ngricë, ftohtë dhe këtë punë do ta bëje gjatë ditës. Nëse nuk realizo- hej norma, ata kishin një shprehje: ‘o normën, o shpirtin!’. Kjo ishte dilema, mosrealizimi i normës nënkuptonte birucë.”
Shkëlqim Abazi ishte vetëm 16 vjeç kur u dënua. “Revolta e Spaçit nuk ishte spontane, kishte 30 vjet dhunë të pandërprerë, do vinte një ditë do shpërthente. Para se të shpërthente revolta, ka qenë e diel. Një pjesë e madhe e të bur- gosurve politikë, nuk donte të dilte në punë, sepse ligjërisht e diela u njihej pushim”, tregon Abazi.
Gëzim Çela, ish-i burgosur, thotë se të dënuarit fillimisht hodhën parulla kundër punës së rëndë në minierë, po më pas ato u shndërruar në thirrje politike si: Poshtë komunizmi!, Rroftë Shqipëria e Lirë!, Na i veshët nëna me të zeza!, E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”.
Napoleon Gumeni ishte 10 vjeç në prill të vitit 1970, kur iu arrestua babai, Izet Gumeni, dënuar me 25 vjet heqje lirie me akuzën për bashkëpun- im me bandat: “Nuk harroj. Isha 14 vjeç. Bashkë me motrën e vogël mbërritëm rreth orës dy në Spaç. Polici nuk na lejoi ta takonim babanë atë ditë, pasi na tha që ishte në punë. Fjetëm pas një barake të komandës, të rrahur nga era e ftohtë e grykës së Spaçit”.
Menduhije Pojani, vajza e Njazi Bylykbashit, ish-i dënuar “për agjitacion e propagandë” i cili vuajti dënimin në burgun e Spaçit: “Pas dënim- it të babait, mamaja duhet të rriste katër fëmijët. Punonte gjithë ditën në bujqësi, mbante dru në kurriz, për të na ngrohur e ushqyer. Na ndihmon- te edhe gjyshja në moshë të thyer” .
Lirie Alibali, gruaja e Ylli Alibalit dhe kunata e Xhe- vat Alibalit, ish-të dënuar me akuzën “agjitacion e propagandë”. “Pas arrestimit të bashkëshortit, m’u mbyllën të gjitha dyert para fytyrës. Askush nuk donte të kishte të bënte me mua. Të afër- mit më thonin: “Erdhe sot, mos hajde përsëri!” Njerëzit largoheshin dhe ndërronin rrugë, ngaqë nuk donin të më flisnin, pasi isha me njollë në biografi. Nuk mund të ndaja babain e vajzave të mia. Pranova fatin tim!”
Ioann Çeli ishte 16 vjeç kur i arrestohet i ati, ush- tarak i dënuar me akuzën “për akte të dhunshme kundër pushtetit popullor”: “Pas arrestimit të babait, motra e madhe, që ndiqte studimet në Fakultetin e Filozofisë, në Tiranë, u përjashtua nga shkolla me ceremoni. Kërkuan ta nxirrnin për demaskim para shkollës”.
Leonard Bejko ishte 5 vjeç kur iu pushkatua babai, Dervish Bejko, i dënuar në vitin 1971 me akuzën “tentativë për arratisje”. Ai është një nga të dënuarit me vdekje të Revoltës së Spaçit, që shpërtheu më 21 maj të vitit 1973: “Babanë e kam brengë. Kam shumë boshllëk, se u rrita pa të. Në Pogradec i kam ngritur një varr në kujtim të tij. Kur e vizitoj, ndez një cigare. Po kujt t’ia ndez?! Nuk ka eshtra. Ia ndez tokës, mermer- it të ftohtë”. Dëshmitë e mbledhura, të admin- istruara me kujdes, do t’i vihen në dispozicion çdo studiuesi, në çdo kohë, sipas rregullave të arkivave në Republikën e Shqipërisë dhe vullnetit të qytetarëve që na kanë besuar rrëfimet, përmes marrëveshjes së nënshkruar me intervistuesin. AIDSSH-ja merr përsipër t’i administrojë dhe t’i ruajë këto regjistrime me standardin e një arkivi të vyer historik.
Njëzet intervistat e përzgjedhura janë burime me vlerë për kërkimin shkencor që plotëson doku- mentin arkivor dhe nxjerr në pah ato ngjarje që janë anashkaluar me qëllim në dokumentet zyrtar te ish-Sigurimit.
Krahas problemeve që mbartim me rishkrimin e historisë, të së shkuarës sonë diktatoriale, këto dëshmi përbëjnë një vlerë të jashtëzakonshme pasi koha biologjike ecën dhe rreziku i harresës është gjithmonë dhe më i pranishëm.
Toggle Content
Në kuadër të studimeve akademike mbi punën e detyruar gjatë diktaturës, nisur edhe nga nevoja e ripërsëritur se historia duhet të rishkruhet dhe asnjëherë nuk merr vulën përfundimtare, hedhja dritë mbi kampin-burg të Spaçit i shton burimet arkivore dhe historike në funksion të njohjes nga ana e shoqërisë shqiptare mbi mekanizmat shtypës dhe dehumanizues që shteti përdori gjatë viteve 1944-1991.
Si burim kryesor për këtë botim u përdor arkivi i AIDSSH-së me dokumente nga dosja e “Objektit të rëndësisë të veçantë të repartit 303, Spaç”, dosjet hetimore-gjyqësore të të dënuarve në këtë burg etj. Botimi u pasurua nga arkivi gojor, i cili, dhe pse është një burim sekondar, është po aq i rëndësishëm sa i pari sepse ofron dëshmi të gjal- la. Ato janë një kambanë reflektimi për shoqërinë e sotme, e cila nuk duhet të përsërisë gabimet e së shkuarës.
Autoriteti thelloi më tej punën në drejtim të krijim- it të koleksionit arkivor, ku dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit iu shtuan edhe dokumente të tjera, zyrtare, të siguruara në kuadër të bash- këpunimit institucional. Nga mbajtja e një tryeze teknike, u përftuan të dhëna nga ekspertiza e profesorëve dhe inxhinierët e minierave që kishin punuar gjatë periudhës në sektorët dhe galeritë ku ishin aktivizuar edhe të burgosurit e Spaçit.
Kontributi
Dëshmitë dhe informacionet e siguruara nga komunikimi me institucione lokale, e vendosën AIDSSH-në përpara disa fakteve të reja atë të trupave të zhdukur të personave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit, në burgun e Spaçit.
Kërkimet e bëra në dokumentet e institucioneve, si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vërtetuan faktin se një pjesë e ish-të dënuarve, të ekzekutuar, të vrarë ose të vdekur nga mundimi dhe sëmundjet gjatë vuajtjes së dënimit, aksiden- tet në punë apo në tentativë arratisje, ende nuk kanë një varr.
Nisur nga të gjitha këto, Autoriteti vendosi edhe nisjen e procedurës së hetimit administrativ për verifikimin e vendvarrimeve të dyshuara dhe qa- rtësimin e fatit të 44 të zhdukurve, bashkëpun- imin me organet e pushtetit lokal për ruajtjen nga tjetërsimi, si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për rikuperimin e eshtrave të per- sonave të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit.
Zhdukjet e varreve, siç është vënë re, janë për- dorur nga regjimi me dy qëllime: jo vetëm t’u mbyllin gojën kundërshtarëve dhe kritikëve, por gjithashtu të krijonin pasiguri dhe frikë tek të tjerët, për t’i detyruar të heshtnin dhe të mos kundërshtonin autoritetet.
Botimi nxjerr në pah se zhdukja e trupave është shkelje e të drejtave themelore të njeriut të deklaruara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UDHR). Vik- tima janë edhe familjet e tyre, të cilat e kalojnë pjesën tjetër të jetës duke kërkuar informacione për të zhdukurit.
Botimi sjell një raport të progresit të hetimit ad- ministrativ për 44 të zhdukurit në burgun e Spaçit, si dhe një pasqyrë të aktivitete që AIDSSH-ja ka mbajtur në përkujtim të revoltës antikomuniste të Spaçit.
Rëndësia e ruajtjes së kujtesës kolektive për këto ngjarje të rënda
Ruajtja e kujtesës kolektive mbi ngjarjet e rënda po bëhet gjithnjë edhe më e rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit. Mosnjohja me të kaluarën rrezikon të shfaqë remishineca në kulturën shoqërore, por edhe në politikbërjen e qeverisjes së vendit. Ndërkohë hapësira publike, institucionale dhe arsimore vazhdon të mbetet e painformuar në disa aspekte të regjimit diktatorial.
Rënia e regjimit komunist në Shqipëri nuk u pa- sua me një hetim të krimeve të kryera prej tij, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të gjenocid- it komunist. Deri më sot ka munguar përfshirja e këtyre ngjarje në kurrikulat zyrtare të mësimit të historisë, e cila sipas vlerësimeve të ekspertëve shmang diskutimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të kryera ndaj grupeve të tjera, apo edhe të temave të tjera sensitive lidhur me këtë periudhë, përbën ende një sfidë. Pavarësisht projekteve të shumta me qëllim përmirësimin e mësimdhënies së historisë në shkolla, ende nuk është arritur të nxitet të menduarit kritik, empatia historike dhe këndvështrimet e shumëfishta.
Në funksion të njohjes së historisë dhe ruajtjes së kujtesës, Autoriteti vjen me botime të veçanta për revoltën e Spaçit me tekste për grup-moshat e sistemit parauniversitar shkruar nga shkrimtarë për fëmijë që asistohen nga ekspertiza akademike e historianëve më të mirë të kësaj periudhe. Libri për fëmijë dhe një film i përshtatur rreth ngjarjes dhe historisë është pjesë e platformës arsimore “Të mësojmë mbi të kaluarën- burime arsimore të ha- pura 1944-1991”, e cila synon t’u vijë në ndihmë mësuesve të historisë, edukimit qytetar, filozofisë, gjuhës dhe letërsisë me qëllim përcjelljen e ngjarjes tek nxënësit e sistemit parauniversitar.
Nëpërmjet këtij ansambli prodhimesh mediatike, mësimore dhe edukuese synohet që jehona e kësaj ngjarjeje historike të kthehet në një ditë simbolike kujtese për shoqërinë, si dhe të nxiten akte reflektimi të mëtejshme si në drejtim të re- habilitimit të të gjithë ish-të dënuarve, kthimit të kampit-burg të Spaçit në muze të kujtesës kolek- tive për të kujtuar se aty janë kryer krime kundër jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Për realizimin e këtij botimi falënderoj për punën e dedikuar të punonjësve të AIDSSH-së në të gjitha drejtoritë. Formati i pyetjeve u zhvillua nga Drejtoria e Mbështetjes Shkencore dhe Edukimit Qytetar. Transkriptimi u bë në zyrat e AIDSSH- së, rrëfimet e regjistruara me zë dhe figurë u për- punuan nga sektori audio-vizual. Fondi me do- kumente arkivore u mblodh dhe u përpunua nga Drejtoria e Arkivit.
Falënderoj Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërinsti- tucionale në Procesin e Identifikimit dhe Rikuper- imit të Personave të Zhdukur për komunikimin me ish-të dënuarit për realizimin e intervistave, si dhe punës ne terren për kryerjen e hetimeve adminis- trative për të zhdukurit në Spaç.
Falënderoj për ekspertizën e tyre profesorët e in- xhinierët e minierave, Dr. Viktor Doda, ish-ministër i Energjetikës dhe Minierave, ish-inxhinier në këtë minierë, prof. dr. Kimet Fetau, pedagog në Gjeologji-Miniera, eksperti i ekonomisë Fran Gjergji nga “Albakër” dhe Dr. Femi Sufaj, studiues dhe nëndrejtor i përgjithshëm i burgjeve.
Kjo është punë shumë voluminoze dhe e kuj- desshme dhe falënderoj të gjithë kontribuuesit, por sidomos të mbijetuarit nga burgu i Spaçit dhe nga internimet e gjata, si edhe familjarët e tyre që, pavarësisht moshës, gjendjes shëndetësore e lëndimit shpirtëror, u shprehën të gatshëm dhe bashkëpunuan për të dhënë dëshmitë e tyre, tepër të vlefshme e të pazëvendësueshme për re- voltën e të burgosurve në burgun e Spaçit, në 21 maj 1973, si dhe të dhëna nga trajtimi çnjerëzor dhe puna e rëndë në minierë.
Regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga: dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekze- kutimet individuale e kolektive (me dhe pa gjyq), vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të orig- jinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik. Ndërgjegjësimi i opinionit publik shqiptar, sidomos ndërgjegjësimi i brezit të ri për krimet çnjerëzore të kryera nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës mbetet ende një sfidë për Shqipërinë.
Zbardhja e historisë së kampit të punës së de- tyruar në Spaç, na vendos përballë disa çësht- jeve ende të pazgjidhura, të tilla si:
- Mungesa e llogaridhënies. Edhe pse janë kaluar 30 vjet, ende ka mungesë lloga- ridhënieje për krimet e kryera në atë kamp dhe në sistemin e punës së detyruar në përgjithësi. Shumë nga përgjegjësit e dre- jtpërdrejtë për këto krime kanë shmangur përgjegjësinë dhe nuk janë ndëshkuar.
- Rifuqizimi i viktimave. Zbardhja e historisë u jep mundësi të mbijetuarve që të trego- jnë dëshmitë e tyre dhe të riafirmojnë iden- titetin e tyre si viktima të Kjo është një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi narrativën dhe të ndihmojë në shërimin e plagëve psikologjike.
- Ndërtimi i një shoqërie të drejtë. Mungesa e llogaridhënies dhe e drejtësisë deri më sot tregon se procesi i ndërtimit të një shoqërie të drejtë është ende i pazgjidhur. Zbardhja e historisë duhet të shërbejë si hap drejt një procesi gjithëpërfshirës të ndërtimit të një shoqërie të vërtetë
- Mungesa e kujtesës institucionale. Insti- tucionet shtetërore kanë treguar mungesë vullneti për të zbardhur dhe ruajtur kujtesën kolektive për këto Kjo tregon se ekziston ende një nevojë për rritjen e përg- jegjësisë dhe angazhimit institucional në këtë drejtim. Në fund të fundit, kjo zbard- hje e historisë së Spaçit tregon se ende kemi shumë për të mësuar nga e kaluara, për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe demokratike, duke u ballafaquar plotësisht me të vërtetën e asaj kohe.
Bibliografia
Vendime dhe urdhra
- AIDSSH, urdhri me nr. 22, datë 02.2023 të Kryetares së Autoritetit, “Për organizimin e aktiviteteve përkujti- more me rastin e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit”
- AIDSSH, vendimi nr. 374, datë 02.06.2023 “Për fillimin e hetimit ad- ministrativ me qëllim qartësimin e fatit, gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personave të vdekur ose të zhdukur gjatë vuajtjes së dënimit në Bur- gun e Spaçit”
- AIDSSH, vendimi nr.724, datë 12.2023 “Mbi miratimin e raportit për hetimin administrativ me qëllim qartë- simin e fatit, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të burgosurve të vdekur ose të zhdukur gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit”
- Plani Strategjik i Autoritetit 2023-
Arkivi i AIDSSH-së
- Arkivi i AIDSSH-së, dosje hetimore-gjy- qësore të të dënuarve dhe ridënuarve për revoltën e Spaçit.
- Arkivi i AIDSSH-së, Fondi Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, dosje ORV 123 e repartit nr. 303 Spaç, me 244 fletë.
- Arkivi i AIDSSH-së, Fondi Dega e Punëve të Brendshme Pukë, fashikull për masat që merren kur arratisen të bur- gosurit nga reparti i Spaçit, me 14
- Arkivi i AIDSSH-së, fondi nr. 4, dosje 335 “Disa përfundime nga revolta në kampin e Spaçit”, me 11 fletë.
- Arkivi i AIDSSH-së, fondi 4, dosje nr. 217 “Për disa shqetësime në Kombina- tin Kimiko-Metalurgjik të Laçit, si dhe në minierën e bakrit Spaç”, me 9 fletë.
- Fondi Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, dega 7, viti 1975, dosje 114: “Informacione dërguar udhëheqës së Partisë e të Shtetit mbi dëmtimet shpër- dorimet e të meta të tjera në sektorin e industri-miniera”
- Fondi dega IV, dosje 801: “Dosje dre- jtimi, industria e rëndë dhe minierave”
- Fondi dega IV, dosje 95: “Dosje dre- jtimi, industria e rëndë dhe minierave”, volumi I
- Fondi dega IV, dosje 95: “Dosje dre- jtimi, industria e rëndë dhe minierave”, volumi II
- Fondi dega IV, dosje 95. “Dosje dre- jtimi, industria e rëndë dhe minierave”, volumi III
- Fondi dega IV, dosje 95.”Dosje dre- jtimi, industria e rëndë dhe minierave”, volumi IV
- Fondi dega IV, dosje 95. “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave” volumi V
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi I
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi II
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi III
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi IV
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi V
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi VI
- Fondi dega IV, “Dosje drejtimi industria e rëndë dhe minierave”, volumi VII
- Fondi P.B Tiranë, dosje nr.173, “Dosje drejtimi industria e rende dhe minierave”, volumi I
- Fondi P.B Tiranë, dosje nr.173 “Dosje drejtimi industria e rende dhe minierave”, volumi II
- Fondi P.B Tiranë, vosje nr.173 “Dosje drejtimi industria e rende dhe minierave”, volumi III
Studime shkencore
- Meta, Beqir. Vështrim analitik mbi siste- min e burgjeve, internimeve dhe për- dorimin e punës së detyruar gjatë reg- jimit komunist në Shqipëri, Të Mohuar nga regjimi, AIDSSH, 2021.
- Sufaj, Femi; Sota, Jeta në kam- pet e punës së detyruar, nga vështrimi i raporteve zyrtare, Të Mohuar nga regjimi, AIDSSH, 2021.
- Boriçi, Pohimi nga Byroja Politike e PPSH të dhunës ndaj të burgosurve dhe internuarve nga organet e Sigurimit të Shtetit deri në 1953, Të Mohuar nga regjimi, AIDSSH, 2021.
- Pandelejmoni (Papa), Kujtesa dhe rrëfimi i historive jetësore mbi kam- pet e punës së detyruar, internimet dhe burgjet në Shqipërinë Komuniste.Të Mo- huar nga regjimi, AIDSSH, 2021.
- Studim kornizë. Mbi sistemin e burg- jeve, internimit dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri me fokus ngritjen e një muzeu kujtese në ish-kampin e internimit të Tepelenës. AIDSSH,2019.
- Grup autorësh. Përndjekja Politike, Si- fidat e tranzicionit shqiptar. Qendra Shqiptare për Rehabiltimin e Traumës dhe Torturës. Tiranë,
- Grup autorësh, Historik i Shkurtër i Repartit të Edukimit 303 në Spaç- Mirëditë, 1951-1991. Botimi i organiza- tës “Trashëgimia Kulturore pa kufi.”

Dr.Mirela Sinani
Juriste pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Burgu i Spaçit dhe
skllavërimi i të burgosurve politikë
Parlamenti Europian, në rezolutën e 19 shtatorit 2019, theksoi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës [2019/2819 (RSP)] me “qëllim që të nderojmë viktimat, të dënojmë autorët e krimeve dhe të hedhim bazat e një pajtimi të bazuar mbi të vërtetën dhe veprën e kujtesës”.
Në fondin e madh të dijeve, tashmë njerëzimi ka përcaktuar sistemet skllavopronare si sisteme të bazuara te skllavëria e njeriut nga njeriu, në të cilat rregullat e pronësisë shtriheshin edhe mbi njerëzit, që shiteshin e bliheshin si çdo mall në treg, si të ishin thjesht sende, me dallimin që këto lloj “sendesh” flisnin, ecnin apo kishin edhe ndjenja (?!)…Por historia e shoqërisë njerëzore është e mbushur me shekuj skllavërimi të njerëzve edhe përtej sistemit skllavopronar.Në shek. XVIII dhe XIX, forcat më të përparuara të frymëzuara nga idetë filozofike të lirisë, të barazisë e të vëllazërisë u ngritën kundër skllavërimit si një njollë e turpshme në ballin e njerëzimit. Me aktin e heqjes së skllavërisë, ato ishin të ndërgjegjshme se, sidoqoftë, turpërimi për këtë traditë skllavërimi do të duhej të ndihej për disa breza me radhë e më pastaj, me largimin në kohë, ky turpërim do të ndihej gjithnjë e më pak, gjersa të mbetej thjesht, si diçka që i përkiste historisë. Realiteti politik, shumë shpejt e rrëzoi poshtë këtë ide.
Komunizmi, fashizmi dhe nazizmi, tre totalitarizma të lindura mu në zemër të Europës në shekullin XX, dy luftëra të njëpasnjëshme botërore, provokuan rëndë njerëzimin dhe tronditën gjer në palcë idetë dhe realitetin e lirisë. Historikisht, totalitarizmi komunist u shfaq më herët dhe nisi që me revolucionin proletar të vitit 1917 në Rusinë cariste.Pas Luftës së Dytë Botërore, sistemi komunist zgjeroi hapësirën e vet në të gjitha vendet e Europës Lindore. Urrejtja dhe revanshi ndaj tjetrit që i përkiste racës tjetër, kombit tjetër, atje, matanë kufijve u zëvendësua me urrejtjen dhe revanshin ndaj tjetrit këtu, brenda kufijve të vendit, brenda vetë kombit, ndaj tjetrit të klasës së ndryshme nga klasa proletare, ndaj tjetrit me mendim ndryshe nga ideologjia marksiste.
Një sistem i tillë totalitar rrëmbeu me dhunë pushtetin edhe në Shqipëri, duke goditur ekonominë dhe shoqërinë shqiptare dhe duke kundërvënë shqiptarët me njëri-tjetrin. Shqipëria, ky vend kaq i vogël nga sipërfaqja dhe nga popullsia, iu nënshtrua një regjimi të rreptë spastrimi të vazhdueshëm, të njerëzve me ide të ndryshme prej ideve komuniste ose me prejardhje të ndryshme nga prejardhja proletare, zbrazje fshatrash e krahinash nga familje dhe fise të tëra, shpërngulje dhe internime familjesh në kampe internimi dhe kampe pune.
Ndër burgjet e shumta, të ngritura nga veriu në jug dhe të mbushura plot me shqiptarë të moshave nga më të ndryshmet, dallohej burgu i Spaçit.Nëse dikush do të mendonte se skllavëria ishte një nocion që i përkiste historisë së largët të njerëzimit, se ajo strukej vetëm nëpër filmat e së shkuarës, gabohej. Skllavëria mbeti gjallë dhe u përdor masivisht nën shtetin e diktaturës së proletariatit.Burgu i Spaçit, i njohur edhe me emrin kamp pune, ishte një ndër burgjet ku të dënuarit politikë shfrytëzoheshin edhe me punë të detyruar. Zyrtarisht, ky burg mban emërtimin kampriedukimi(?!) Të etiketuar si armiq, të përbuzur, të poshtëruar, të lënë në vetmi, pa familjarë, pa shokë e miq, pa askënd, të izoluar në një vend të shkretë mes malesh, të torturuar, të shfrytëzuar sa t’u dilte shpirti, të masakruar dhe poshtëruar edhe së vdekuri: këta ishin skllevërit e kohës së re, që figuronin vetëm në pasqyrat e realizimit të planit të prodhimit të minierave si fuqi punëtore, madje me një pagesë sa 10% e pagesës së një punëtori, kundrejt një shfrytëzimi të jashtëzakonshëm, që figuronin në listat e fuqisë punëtore për të ndërtuar uzinat e fabrikat dhe që torturoheshin për vdekje për çdo mosrealizim norme, që edhe vriteshin barbarisht, një fenomen i panjohur për pjesën tjetër të popullsisë, që nanurisej me iluzionet e propagandës komuniste mbi rezultatet e punëtorëve të minierave që tejkalonin planet, mbi rininë që hapte kanalet e mëdha kulluese, thante kënetat, ndërtonte uzina dhe fabrika, dhe lulëzonte atdheun.
Diktatura e proletariatit dhe lufta e klasave u përdorën nga partia në pushtet për të kultivuar frikën, për të hapur fushatat e “gjahut” njerëzor dhe për të siguruar skllevër për sektorët më të vështirë të ekonomisë. Të burgosurit e Spaçit ishin “gjahu” i shtetit komunist, më saktë i një partie të vetme që drejtonte tërë shtetin, ata ishin provokuar, shtytur në kurth dhe zënë nga shteti, ishin rrëmbyer, dhunuar, torturuar, dënuar dhe burgosur nga një shtet që vepronte me ligj, si një bandë kriminale kundër popullit të vet. Në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789, pikërisht dy shekuj përpara sesa shqiptarët “të zgjidhnin” shtetin e diktaturës së proletariatit, renditen të drejtat natyrore dhe të patjetërsueshme të njeriut: liria, prona, siguria dhe rezistenca ndaj shtypjes. Shqiptarëve u ishin hequr të tëra këto të drejta natyrore duke filluar nga viti 1944 e më tej, me një sërë masash e reformash ekonomike, megjithatë ata e konsideronin veten të lirë, sepse… ishin çliruar nga pushtuesi i huaj, konsideroheshin të lirë meqë nuk ishin brenda burgjeve?!
Në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të vitit 1789 përcaktohet se liria ka të bëjë me lirinë për të bërë gjithçka që nuk dëmton askënd tjetër; prandaj ushtrimi i të drejtave natyrore të secilit njeri nuk ka kufij, përveç atyre që sigurojnë anëtarët e tjerë të shoqërisë, gëzimin e të drejtave të njëjta. Këto kufij mund të përcaktohen vetëm me ligj. Ky konceptim për lirinë i deklaruar që në shekullin XVIII ishte hequr me ligj në Shqipërinë e diktaturës së proletariatit dhe, në çdo rast, institucionet përkatëse shtetërore mund të ngrinin akuza “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Liria për të lëvizur lirshëm ishte zhdukur me kohë. Me pretekstin e rrethimit nga bota borgjeze, i gjithë vendi ishte i rrethuar me kufij të mbyllur me tela me gjemba dhe i ruajtur me roje të armatosura, gjë që dëshmonte kthimin e të Shqipërisë në një burg të përmasave gjigante.
Kushdo që dëshironte të shkonte në botën borgjeze, akt që nuk i shkaktonte dëm askujt tjetër veç vetes së vet, arrestohej për ‘‘tentativë arratisjeje’’. Edhe në këtë pikë, ligjet e shtetit të diktaturës së proletariatit bënin hapa mbrapa, duke rrëzuar Deklaratën e të Drejtave të Njeriut e të Qytetarit të shpallur në shekullin XVIII.
Edhe pse liritë ishin zhdukur njëra pas tjetrës- ishte hequr liria e shprehjes dhe e mendimit ndryshe, liria e lëvizjes së lirë – nën trysninë e propagandës dhe të frikës nga agresioni i huaj, shqiptarët kishin iluzionin se ishin të lirë. Kjo ishte drama e shqiptarëve. Pikërisht, në këtë atdhe “të lirë”, me këta shqiptarë “të lirë”, lulëzonte fenomeni i skllavërimit të njeriut nga shteti. Në fakt, të gjitha hallkat ishin qepur trashë, por gjithsesi, diktaturës i duhej një kuadër ligjor si justifikim, për farsën se po vendoste drejtësi.
Nga momenti që kundër dikujt ishte ngritur një akuzë, jeta e tij ishte shënjuar. Të burgosurit politikë ishin shpallur armiq: jeta e tyre nuk i interesonte më askujt, prandaj kalimi i portës së burgut i nxirrte ata nga dimensionet hapësinore- kohore të realitetit shoqëror. Shteti, në fakt, bëhej pronar i jetës dhe i vdekjes së tyre. Pavarësisht se dënimi mund të ishte edhe vetëm 5 vjet dhe me një akuzë qesharake, shteti sajonte pretekste për të dhënë ridënime të njëpasnjëshme dhe për të mos e lejuar më atë person të dilte i gjallë nga burgu, nuk e lejonte të fitonte lirinë pas kryerjes së dënimit, sikurse edhe mund ta asgjësonte pa dhënë llogari e pa mbajtur përgjegjësi askush, siç kishte ndodhur në shumë burgje, mes tyre, edhe në Spaç. Jo vetëm shfrytëzimi me punë të detyruar, në mënyrë çnjerëzore, por sidomos ndërprerja e çdo mundësie për rifitimin e lirisë përmes dënimeve të njëpasnjëshme, përbëjnë karakteristikat themelore të skllavërimit të të burgosurve politikë në burgjet e diktaturës në Shqipëri.
Ajo që ishte e veçantë për Spaçin, lidhej me shfrytëzimin e gjahut njerëzor për punë të detyruar në miniera, një nga sektorët më të vështirë të ekonomisë, me përfitime shumë të mëdha, por me rrezikshmëri të lartë jete dhe, për këtë arsye, me mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Të burgosurit në burgun-kamp pune të Spaçit ishin të detyruar të realizonin me çdo kusht normën, përndryshe jeta e tyre varej në një fill: që shteti, përmes dorës së rojës, ushtarit, oficerit, policit, operativit etj., mund ta këpuste pa asnjë problem, sepse jeta e një “armiku” nuk vlente. Për të qartësuar sa të jetë e mundur, shfrytëzimin e të burgosurve në Spaç, nga qershori i vitit 1968 e deri në mars të vitit 1991, AIDSSH nisi një komunikim, bashkëpunim dhe partneritet me disa institucione shtetërore: me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me struktura vartësie të kësaj të fundit, si “Alb Bakër” sh.a, me Arkivin e Shtetit.
Pas këtyre komunikimeve, me disa prej institucioneve edhe në mënyrë të vazhdueshme, u krijua një tablo se çfarë ishte dhe çfarë solli dënimi me punë të detyruar brenda burgjeve të diktaturës, për qindra e mijëra shqiptarë, të cilët ishin gjykuar, shumica për arsye politike dhe për të cilët në gjykata ishte shqiptuar dhe shkruar vendimi, vetëm me heqjen e lirisë. Gjatë 23 vite të ekzistencës së atij burgu famëkeq vuajtën dënimin më shumë se 2200 të dënuar.
Në çdo vit, në burgun e Spaçit pati rreth 900-1100 të burgosur, 20% e të cilëve ishin të moshës 18 deri në 25 vjeç; 75% ishin të moshës 25 deri në 60 vjeç dhe 5% ishin të moshave nën 18 vjeç, apo mbi 60 vjeç.
Të dhënat janë pasqyruar në grafikun djathtas sipër:
Siç shihet edhe nga grafiku, pjesën më të madhe, rreth 75%, e zënë mosha 25-60 vjeç, mosha më e fuqishme për punë të rëndë.
Për nga dënimet:
- Të dënuar deri në 5 vjet heqje lirie, ishin rreth 25% e të burgosurve.
- Të dënuar me nga 5 deri në 10 vjet heqje lirie, ishin rreth 38% e tyre.
- Të dënuar me 10 deri në 15 vjet heqje lirie, ishin rreth 15% e të dënuarve me
- Të dënuar me mbi 15 vjet heqje lirie, ishin rreth 22% e tyre.
Të dhënat pasqyrohen në grafikun e mëposhtëm:
Në burgun e Spaçit, gjatë gjithë viteve, rreth 55% e të burgosurve ishin përsëritës, kurse një pjesë e të burgosurve ishin edhe të ridënuar po aty, gjatë vuajtjes së dënimit.
Një e dhënë shumë e ndryshueshme ka qenë origjina e të burgosurve, që hedh dritë mbi një fenomen shumë radikal siç ishte zhvillimi i luftës së klasave, përmasat, shtrirja, thellësia, ashpërsia e së cilës, në shoqërinë shqiptare, ishte e tillë që, prej saj, nuk përjashtohej askush. Lufta e klasave, që sipas orientimeve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, herë ulej e herë ngrihej, po asnjëherë nuk shuhej, paraqitej si burim zhvillimi, ngjashëm me përfytyrimet e zjarrit heraklitian, që përshkonte gjithçka. Mbështjellë me këtë veshje filozofike antike dhe sidomos bazuar tek ideologjia marksiste, lufta e klasave u përdor si arma që spastroi shoqërinë shqiptare dhe ndryshoi thellësisht fizionominë shoqërore, ekonomike, kulturën, të drejtën, zakonet, traditat, moralin, mendësitë dhe përjetimet psikologjike brenda një kohe shumë të shkurtër. Koncepti mijëravjeçar për lirinë dhe përvoja njerëzore e lirisë erdhi dhe u rrudh në një përfytyrim mjeran lirie, megjithëse i “argumentuar shkencërisht” dhe në një përvojë “lirie” që identifikohej me të menduarit e të jetuarit siç thotë partia dhe me të jetuarit si në rrethim. Ndryshueshmëria aq e madhe e origjinës së të burgosurve dëshmon edhe faktin tjetër që të dhënat që përdoreshin nga prokuroria dhe gjykata, si fakte për të ndërtuar akuzën dhe për të vënë dënimin, ishin subjektive
Statistikat tregojnë, gjithashtu, se numri më i madh i të burgosurve në raport me popullsinë, ka qenë nga zonat kufitare. Edhe pse kufiri shqiptar ishte një pjesë territori e rrethuar me tela me gjemba, me sinjalizues elektrikë, e ruajtur nga roje të armatosura që kishin të drejtë të vrisnin këdo që i afrohej dhe që ishin të mbështetur nga qentë e stërvitur të kufirit, të jetuarit pranë vijës kufitare bëri që tek ajo pjesë e popullit që banonte atje, më pranë pjesës tjetër të botës, të mbetej gjallë dhe të pulsonte vazhdimisht ndjenja e lirisë, ideja e lirisë dhe shpresa e shpëtimit nga ky shtet i vetërrethuar, që vetasgjësonte sistematikisht popullsinë e vet. Të dhënat e përgjithshme të realizimit të planit që përpiloheshin në çdo minierë, nxirreshin nga të dhënat e mbajtura në regjistra,ku në kolona të veçanta shënohej realizimi i normës ditore nga çdo i burgosur, i rreshtuar si fuqi punëtore në minierë. Trajtimi i secilit prej tyre, varej nga realizimi ose mosrealizimi i normës. Shprehja “O normën, o shpirtin!” e pambështetur në ndonjë vendim gjykate, e pashkruar në muret e burgjeve, por e shqiptuar nga të gjithë policët dhe rojet e burgjeve, duke ia përplasur në fytyrë çdo të burgosuri që kryente punë me detyrim, nuk ndryshon aspak nga shprehja “Puna të çliron”, e shkruar në hyrje të kampeve naziste të shfarosjeve në masë. Njëra shfaqej menjëherë dhe dukej që në hyrje, tjetra nuk dukej, por dëgjohej përditë, sa kohë kishe jetë në ato burgje-kampe pune, ndërsa pasojat e saj mbetën të fshehura e të panjohura për një kohë shumë të gjatë – mbi gjysmëshekullore.
Mosrealizimi i normës shoqërohej me dënime torturuese, deri në ridënime. Treguesit e realizimit të planit nga të burgosurit që punonin në miniera janë në rritje, me tejkalime çdo muaj e çdo vit. Përtej statistikës së thjeshtë dhe shifrave të ngurta, që gjithsesi, nuk tregojnë as kushtet teknike të minierave, as kushtet e punës së të burgosurve minatorë, as mjetet me të cilat punonin, as krimet e kryera mbi ta brenda minierave, kushdo mund të pyesë: Po ç’ishin këta të burgosur që punonin? Ç’ishin këta të burgosur që punonin dhe që dënoheshin për mosrealizimin e normës? Ç’ishin këta të burgosur që punonin, që dënoheshin dhe që torturoheshin për mosrealizimin e normës? Ç’ishin këta të burgosur që punonin, dënoheshin, torturoheshin dhe që vriteshin për mosrealizimin e normës? Ç’ishin këta të burgosur që punonin, dënoheshin, torturoheshin, vriteshin dhe që u zhdukej trupi pa gjurmë, maleve ose thellësive të minierave, për mosrealizim norme? Mbi bazë të cilit ligj, a të cilit vendim gjykate? Në çdo vend të qytetëruar të botës, në të drejtën penale, që nga përcaktimi i veprave penale e deri te përcaktimi i dënimeve, llojet dhe masat e tyre, qëllimi është që të parandalohet kryerja e një vepre penale, të ndëshkohet personi që e kryen, duke iu hequr, apo kufizuar liria dhe disa të drejta të tjera, si edhe të edukohet me qëllim rehabilitimin në jetën shoqërore, pas kryerjes së dënimit. Mënyra sesi ishte ndërtuar e drejta penale, qëllimi, konceptimi i veprës penale dhe zgjerimi tej mase i saj, pastaj i gjithë sistemi i institucioneve të përgjimit, zbulimit, ndjekjes, hetimit, gjykimit si edhe sistemi i institucioneve të vuajtjes së dënimit me burgje-kampe pune si ai i Spaçit e të tjerë, na jep pamjen e një shteti bandit i interesuar të shtyjë në krim, të rrëmbejë dhe të kriminalizojë sa më shumë njerëz, të dënojë sa më rëndë e të krijojë pretekste për të ridënuar, me qëllim që i burgosuri të mos dilte më i gjallë nga burgu, na jep pamjen e një shteti që, të dënuarit në burgje nuk ishin atje për të vuajtur dënimin, ca më pak për t’u rehabilituar, por për t’u shfrytëzuar maksimalisht, si fuqi e gjallë e punës deri në vdekje, madje edhe për t’u asgjësuar.
Në burgun-kamp pune të Spaçit norma e ditës së punës së një të burgosuri që përfshihej në fuqinë punëtore të minierës si punëtor i pakualifikuar, thjesht punëtor kazme dhe lopate, që mbushte e shtynte vagonët me mineral, ishte nxjerrja e 8 tonëve mineral bakri në një turn. Puna ishte e organizuar me tre turne, kurse paga ishte përcaktuar me ligj sa 10% e pagës së një punonjësi në gjendje të lirë, për të njëjtën punë të kryer. Të burgosurit e Spaçit që u shfrytëzuan për punë të detyruar në nëntokën e Spaçit, në 23 vite kryen 88.388 (tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e tetë) metër linearë punime minerare. Çdo metër linear i ri në minierë është hapur vetëm nga të burgosurit. Ndër punët e tjera ishin mbushja e mineralit nëpër vagonë, shtyrja e vagonëve me mineral, nxjerrja në sipërfaqe etj. Të burgosurit nxorën nga nëntoka e Spaçit 2.8 milionë tonë mineral bakri1 (llogaritur për periudhën 1968 – mars 1991, kohë kur ka funksionuar kampi) dhe rreth 1 milion ton mineral piriti.
Në tabelën 1 janë paraqitur të dhënat zyrtare shtetërore, që sot i ka në zotërim Shoqëria aksionare “AlbBakër” sh.a. për prodhimin e mineralit të bakrit dhe të piritit në ish-minierën e bakrit, Spaç, në vite. Diferencat në sasinë e mineralit të nxjerrë në periudha të ndryshme, dëshmojnë edhe për shfrytëzimin që i është bërë punës së papaguar të të burgosurve, deri në vitin 1990.
Në grafikun 3 paraqiten në mënyrë lineare, nxjerrja e mineralit të bakrit dhe të piritit, bazuar në të dhënat deri në vitin 1998. Nga viti 1966 e deri në korrik të vitit 1968, në minierën e Spaçit punonin vetëm punëtorë miniere. Siç shihet edhe nga kurba e grafikut, sapo aty pranë u vendos burgu i Spaçit, prodhimi i bakrit dhe i piritit u shumëfishua. Gjithashtu, me mbylljen e burgut të Spaçit në vitin 1991, shihet qartë edhe nga grafiku, se çfarë ndodh me prodhimin e mineralit të bakrit dhe të piritit: nxjerrja e bakrit ra në nivele minimale, kurse nxjerrja e piritit u ndërpre krejtësisht. Në grafikun 4 pasqyrohet prodhimi i mineralit të bakrit e të piritit krahasuar me njëri-tjetrin, çdo vit, deri më 1990. Nga minerali i bakrit, përqindja bakër e të cilit ishte rreth 1.15%,2 pas përpunimit u përftuan rreth 35 mijë tonë bakër, sasi kjo që në bursat e kohës, ku bakri kuotohej nga 1900 $/ton deri në 3500 $/ton, vlerësohej rreth 94 milionë e 500 mijë dollarë amerikanë ose krahasuar me bursën e sotme, pra viti 2023, ku bakri kuotohet rreth 8890 $, vlera do të ishte 311 milionë e 150 mijë dollarë amerikanë.
Produkti i mundit të punës së detyruar të të burgosurve i jepte frymëmarrje shumë sektorëve të ekonomisë. Sasi të mëdha të mineralit të bakrit shkonin në Uzinën e Telave në Shkodër, ku prodhoheshin produkte të rëndësishme për industrinë energjetike dhe mekanike. Një sasi e konsiderueshme sidomos bakër elektrolitik, eksportohej, shitej në tregje, apo shkëmbehej me klering me shtete të ndryshme në Europën Lindore dhe në këmbim merreshin makineri bujqësore, pjesë këmbimi, artikuj të ndryshëm industrialë, etj. Raportet financiare të këtyre transaksioneve është shumë e vështirë të gjenden, pasi në sistemin e diktaturës së proletariatit mungonte transparenca dhe çdo gjë zhvillohej e mbyllur dhe në fshehtësi. Edhe nëse mund të ekzistonte ndonjë dokument, p.sh., në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme është zhdukur gjatë ndryshimit të sistemit dhe largimit të qeverisë që lidhej me atë sistem.
Minerali i piritit i nxjerrë në minierën e Spaçit, në sasi të përgjithshme, prej 1.211 154 tonë3 kryesisht shkonte për eksport, ndërsa një pjesë përdorej në Uzinën e Superfosfatit, ku prodhoheshin plehrat kimike për bujqësinë, si edhe shërbente si lëndë e parë për prodhimin e acidit sulfurik (H2SO4), etj.Shumë prej të burgosurve që kryenin punë të detyruar në miniera, të lodhur nga torturat dhe poshtërimet, në dëshpërim e sipër, hidheshin mbi telat me gjemba që rrethonin burgun-kamp pune të Spaçit, që s’mund të kapërceheshin e nga ku s’mund të arratisej askush, megjithatë rojet qëllonin mbi ta dhe i vrisnin.
Shumë të tjerë vdiqën nga mundimi, torturat, sëmundjet e mushkërive dhe sëmundje të tjera që merrnin nëpër biruca dhe në dhomat e tejmbushura me të burgosur e pa kushte jetese, si edhe nga mungesa e sigurisë teknike në galeritë e minierave, apo nga dhuna e ushtruar prej rojeve edhe gjatë procesit të punës.
Pjesa më e madhe e të burgosurve morën ridënime, duke i kthyer dënimet e tyre fillestare disavjeçare, në dënime thuajse të përjetshme. Të mbijetuarit nga burgjet komuniste dëshmojnë se shteti i diktaturës së proletariatit i kryente torturat sipas manualeve që i kishin ardhur nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik apo Gjermania etj. Siç dëshmojnë të mbijetuarit, prifti katolik Pjetër Meshkalla kishte kundërshtuar përkthimin, nga gjuha gjermane, të manualeve me tortura çnjerëzore. Megjithatë, sistemi kishte në shërbim njerëz të specializuar në vendet komuniste për tortura, si edhe manuale që u përkthyen dhe aplikoheshin mbi të dënuarit.
Shfrytëzimi i të dënuarve për punë të detyruar në miniera, kushtet e vështira të punës, norma tepër e lartë dhe ndëshkimet e rënda për mosrealizimin e saj, mungesa e çdo mbrojtjeje teknike në punë, ushqimi shumë i pakët dhe jashtë standardeve shëndetësore, dhuna e vazhdueshme nga policia dhe punonjës të tjerë të shërbimit në burgje, ishin faktorët që shkaktuan shpërthimin e revoltës në 21 maj të vitit 1973 në Spaç, revoltë që zgjati tri ditë dhe tronditi nga themelet gjithë shtetin diktatorial. Të mbijetuarit nga burgu i Spaçit dëshmojnë se jo vetëm që kërkesat e tyre të drejta nuk u morën parasysh, por shteti i diktaturës së proletariatit reagoi me egërsi për ta shtypur revoltën. Me urgjencë u mobilizuan korpuse të tëra dhe u zëvendësuan ushtarët me trupa policore. Kishte aq shumë trupa në rrethim, saqë policët rrinin ngjeshur sup më sup. Që shfrytëzimi i këtyre skllevërve të socializmit të vazhdonte i pandërprerë, shteti veproi me shpejtësi, duke arrestuar të gjithë pjesëmarrësit më të parë dhe më aktivët në revoltë.
Në Spaç u zhvilluan gjyqe farsë dhe u dhanë dënime me vdekje, për katër nga pjesëmarrësit në revoltë, të cilët, u masakruan dhe ndoshta, disa e dhanë frymën e fundit, përpara se ajo të mbyllej plotësisht dhe shumë më parë sesa të zhvilloheshin gjyqet për ta.Tragjikisht, një pjesë e të burgosurve politikë të Spaçit edhe pas vdekjes mbajnë ende vulën e armikut për shkak se janë dënuar duke u cilësuar
për “akte terroriste”. Qindra të tjerë, e ndoshta më shumë, janë të dënuar pafundësisht të humbur e të pavarrë, sepse në mënyrën më mizore dhe në kundërshtim me çdo kod moral, që nga kohët më të lashta, trupat e tyre janë hedhur maleve dhe përrenjve gjysmë të groposur ose janë lënë në natyrë, që të shqyheshin nga egërsirat. Eshtrat e tyre s’dihet as ku ndodhen, as si të identifikohen. Diktatura e proletariatit s’kishte të ngopur me torturat ndaj trupave të të gjallëve dhe gjymtimet e trupave të të vdekurve, me zhbërjen e dinjitetit njerëzor, depersonalizimin, zhdukjen e varreve.
Ish-burgu i Spaçit ose burgu-kamp pune do të jetë përherë një vend i krimit komunist, krim që u krye në mënyrë masive dhe për gjysmë shekulli rresht, nga një sistem që, përmes propagandës, mashtroi popullin me pamje të bukura të lirisë dhe të jetës së lumtur, ndërsa e rrethoi të gjithin me klone dhe tela me gjemba, për të mos lejuar askënd as të ëndërronte të largohej për diku tjetër, as të shprehte ndonjë dëshirë të tillë.
Kushdo që, qoftë në mënyrë naive, e shprehu një ëndërr të tillë, qoftë që guxoi të provonte të kapërcente telat me gjemba ose ra në kurth dhe nga frika u drejtua nga kufiri me tela me gjemba, u dënua nga shteti i diktaturës së proletariatit, jo thjesht me burgim, por iu nënshtrua një procesi të mohimit tërësor shoqëror, për së gjalli si të vdekur, kurse për së vdekuri, të humbur e pa asnjë shenjë.
Sot në Spaç ende kemi një krim të vazhduar. Janë të zhdukurit, rreth 50 ish-të dënuar të identifikuar gjer tani që presin t’u prehen eshtrat aty ku duhej të ishin, pranë të afërmve të tyre, prej të cilëve u ndanë dhunshëm së gjalli. Çdo jetë vdes dhe jetë të lindura prej saj vazhdojnë, por vdekjet e Spaçit janë ndryshe, janë vdekje që jetojnë…Ndaj, Spaçi ka qenë një ferr dhe sot është një histori e rëndë edhe për t’u lexuar, një histori që i bën me turp shqiptarët dhe shtetin shqiptar, dhe detyron ndjesën ndaj të gjithë atyre njerëzve dhe familjeve të tyre, ndjesën ndaj brezave të rinj, për tronditjen që shkakton zbulimi i këtyre krimeve. Revolta e Spaçit do të mbetet në historinë e kombit tonë si një frymëmarrje shprese dhe besimi, nën dhunën e pandërprerë të diktaturës.
Jo rastësisht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në një rezolutë të veçantë, Rezoluta 1096, që në vitin 1996, theksonte se trashëgimia e regjimeve totalitare komuniste, nuk ishte një çështje e lehtë për t’u trajtuar: “Në planin institucional, kjo trashëgimi përfshinte centralizimin, militarizimin e institucioneve civile, burokratizimin, monopolizimin…; në nivelin e shoqërisë, shkonte nga kolektivizmi dhe konformizmi në bindjen e verbër dhe në mënyra të tjera të mendimit totalitar. Në këto kushte është e vështirë të ringrihet një shtet i së drejtës i civilizuar dhe liberal – prandaj strukturat dhe mënyrat e të menduarit të së kaluarës duhet të çmontohen dhe të kapërcehen”.
Hapja e dosjeve të shërbimit sekret do të ishte një hap, krahas hapave të tjerë – rehabilitimit të të gjithë ish-të dënuarve, ruajtjes dhe kthimit në vende të kujtesës kolektive të burgjeve dhe të institucioneve të tjera ku janë kryer krime kundër jetës njerëzore dhe dinjitetit njerëzor – që përmes njohjes së të vërtetës, të zhduken iluzionet për sistemin komunist dhe brezat e rinj të orientohen drejt ndërtimit të perspektivave të tjera shoqërore ku jeta njerëzore, ashtu siç na mësojnë filozofët që nga thellësitë e kohës e siç e ripërsërit Kanti, të trajtohet si qëllim e jo si mjet. Ndërmarrja e këtyre hapave do të shërbejë për ngrintjen e shtetit të së drejtës dhe mosdështimin e procesit të demokratizmit.
Ndryshe, siç theksohet në rezolutën 1096 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, “do të shikojmë të instalohet oligarkia në vend të demokracisë, korrupsioni në vend të shtetit të së drejtës dhe kriminaliteti i organizuar në vend të të drejtave të njeriut. Në rastin më të keq, do të asistojmë në “restaurimin e mëndafshtë” të një regjimi totalitar, qoftë edhe të përmbysjes me forcë të demokracisë ende në lindje e sipër”.
Mblodhën dhe përpunuan të dhënat:
Luan Ismaili, Anton Dukagjini, Vojsava Delilaj

Jonida Dervishi
Eksperte ligjore pranë AIDSSH
Vendimet gjyqësore mbi të dënuarit e Spaçit
Vendimet gjyqësore të dënimit të të gjithë atyre që vuajtën dënimin në burgun e Spaçit, duke përfshirë edhe vendimet e ridënimit38 ndërsa vuanin një vendim të mëparshëm dënimi në repartin nr. 303, dëshmojnë, sot, për një histori të përmasave ekstreme të kufizimit të lirisë për të menduar e për t’u shprehur, deri në asgjësim tërësor të saj. E bashkë me të, të çdo lirie e të drejte tjetër. Në disa raste edhe asaj për të jetuar. Ajo që duket menjëherë nga dosjet hetimore gjyqësore të atyre që vuajtën dënimin e tyre në Burgun e Spaçit, është dominimi i dënimeve për veprën e ‘agjitacionit dhe propagandës’. Në rreth 3040 vendime dënimi41, midis viteve 1957-1981, vepra penale e “agjitacionit dhe propagandës” është trajtuar në së paku 20 vendime42 e për të janë dhënë rreth 75 dënime43. Prej këtyre, nga 8 vendime gjyqësore44, midis viteve 1973-1981, dhënë personave ndaj të cilëve ekzekutohej në Spaç, një vendim i mëparshëm dënimi, të gjitha vendimet përfshijnë veprën e “agjitacionit dhe propagandës” dhe 44 herë të pandehur janë gjetur fajtorë, kryesisht ose ndër të tjera, edhe për këtë vepër45. Njohja me këto vendime hedh dritë mbi një botëkuptim antiliri mendimi dhe shprehjeje, që, në një sistem antiliri, përshkon gjithçka: nga politika penale dhe legjislacioni penal46, te masat e ashpra të dënimeve të parashikuara, dhënë për vepra të “agjitacionit e propagandës”47; zbatimi në praktikë, brenda dhe jashtë burgut; mungesa e ndarjes së pushteteve; gjyqësori i politizuar e në vend, se garant i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe forum i vlerësimit objektiv të fakteve, mbrojtës i vijës ideologjike të partisë; vendimet gjyqësore që ‘ratifikojnë’ asgjësimin e kësaj lire; arsyetimet gjyqësore të njëanshme, të politizuara, jo-objektive, joproporcionale, plot indoktrinim ideologjik e patetizëm partiak e botëkuptimor; standardi i të provuarit dhe përcaktimit të fakteve, të cilat, në masë të madhe e më së shumti, konsistojnë në mendime e fjalë; e deri te shproporcionaliteti, në kufijtë e absurdit, në atribuimin e rrezikshmërisë shoqërore autorëve, për vepra të konsumuara me mendime e fjalë.
Pozicionimi dhe njëanshmëria e gjyqësorit shfaqet e qartë në togfjalëshat e kudondodhur “partia jonë/partisë sonë” dhe ato për “mësime dritëdhënëse nga partia48”, apo “siç na mëson partia”49. Gjyqësori e konsideron detyrë të vetën “vigjilencën revolucionare” dhe “zhvillimin e luftës së klasave me forcë dhe pa ndërprerje dhelëkundje, deri në fitoren përfundimtare”.
Nuk mungojnë dhe shprehje që nxjerrin në pah atë që, apriori, gjyqësori e konsideron të drejtë (e rrjedhimisht, të kundërtën të padrejtë) të tilla, si “ka folur kundër vijës së drejtë marksist-leniniste…. Ka folur kundër sistemit tonë demokratik dhe ka thënë se këtu nuk ka liri dhe demokraci”51. Apo “duke qenë armiq të vjetër të partisë, të popullit e të shtetit tonë, njerëz të degjeneruar nga ana politike dhe me tendenca të theksuara armiqësore kundër diktaturës së proletariatit në Shqipëri.”52Ose “Kanë zhvilluar veprimtari armiqësore, sa të egër aq edhe cinike….; me dashje kundërrevolucionare… kanë mohuar përparimet kolosale që janë bërë në vendin tonë, si në industri, bujqësi dhe degë të tjera të ekonomisë dhe për pasojë, edhe rritjen në një shkallë të paparë, të mirëqenies së masave tona punonjëse…”
Vendimet dëshmojnë për konsiderimin ‘normal’ nga regjimi komunist, të absurdit dhe jetësim të tij përmes gjykimeve. Ato duket se shpërfaqin dhe përfaqësojnë një botëkuptim të një regjimi- botëkuptim antiliri mendimi dhe shprehjeje. Që nuk pranon as fare ekzistencë të mendimit ndryshe duke, madje, i atribuar këtij të fundit rrezikshmëri të lartë. Pasojat në jetët e njerëzve, nga këto procese tërësisht pa garancitë e një procesi të rregullt ligjor për nga këndvështrimi i sotëm, konsistojnë në dënime me disa vite burgim, ndonjëherë me ridënime me shumë vite të tjera burgim, krahas dënimeve plotësuese, si dhe në disa raste edhe me vdekje54. Këto tregojnë për një regjim që ngre një sistem të tërë për asgjësimin e lirive, mbahet në këmbë përmes asgjësimit të lirisë së fjalës dhe duket se frikën më të madhe e ka pikërisht prej mendimit e fjalës së lirë.
Ilustruese për këtë janë: dispozita penale e agjitacionit e propagandës; numri i lartë i dënimeve e ridënimeve për të; ashpërsia e dënimeve të parashikuara për këtë vepër; arsyetimet gjyqësore me citime të fjalëve a shkrimeve të të pandehurve, së bashku me dënimet e ashpra për mendime e fjalë, duke përfshirë edhe për të drejtën për të shpresuar për ndryshim55; si dhe ato pjesë të arsyetimeve gjyqësore të mbushura plot pathos ideologjik në mbrojtje të partisë e udhëheqjes e me cilësime e etiketime56 joetike, fyese e dehumanizuese për të pandehurit, të papërshtatshme për gjuhë gjyqësori. Këto të fundit, ndër të tjera, pasqyrojnë edhe aspektet botëkuptimore, aftësitë profesionale dhe etikën gjyqësore. Të gjitha këto nxjerrin në pah, përtej së dukshmes e statistikores, në kufijtë e absurdes, halucinantes e deri qesharakes – për nga perspektiva e standardeve të kohës sonë, të të drejtave të njeriut, të procesit të rregullt dhe e konceptimit të realitetit e të vërtetave të pakontestueshme57 – atë që duket si një frikë e tmerrshme, gjithnjë prezente, e të gjithëve – edhe vetë gjyqtarëve, nga e vërteta, mendimi dhe fjala e lirë.
Me një politikë dhe legjislacion penal të ashpër e një gjyqësor të politizuar e mbrojtës të ideologjisë partiake, duket se ato që mendohen, thuhen e shkruhen nga të pandehur, përveçse konsiderohen të mjaftueshme për ta çuar dikë përpara gjyqit dhe dënuar ashpër, nuk i nënshtrohen ndonjë vlerësimi objektiv (a) nëse mund të jenë të vërteta ndonëse të papëlqyeshme nga udhëheqja, apo (b) në ekziston mundësia reale që përmes mendimeve, komunikimeve të zakonshme, midis të zakonshmish, jashtë burgut a të burgosurish, në kushte vuajtje dënimi me burgim, fjalëve, shkrimeve, a poezive të arrihen synime, a shkaktohet ndonjë pasojë konkrete në drejtim të “dobësimit të pushtetit popullor”, “minimit të pushtetit të partisë dhe popullit”, “shtrirje veprimtarie armiqësore në drejtime të politikës së jashtme dhe të brendshme”, etj.
Për nga thelbi i vendimeve, duket se standardi i gjykimit në themel është i tillë që realitetin dhe të vërtetën e konsiderohen ‘jashtë realitetit’ dhe ‘trillime’ dhe e anasjellta. Kështu, gjyqtarët konsiderojnë jashtë realitetit dhe të pavërteta a trillime: çdo fjalë nga të pandehur që flet për jetë më të mirë në vende kapitaliste; për të mirat e pronës private; që nuk njeh, a më keq akoma, mohon ato që gjyqësori i sheh e i njeh, si arritje të mëdha në të gjitha fushat e mirëqenie e lartë; që tregon me gisht mangësitë e sistemit e të të drejtave dhe lirive; evidenton vuajtjen e popullit a fshatarësisë, prishjen e marrëdhënieve me shtete të tjera, apo mungesën e artikujve ushqimore nëpër dyqane; apo artikulim se sistemi, nuk është demokratik.
Vendimet gjyqësore tregojnë për konsiderim nga gjyqtarët, si të vërtetë dhe brenda realitetit: arritjet kolosale në të gjitha fushat; mirëqenien e paparë të popullit në sistemin tonë demokratik; mësimet dritëdhënëse nga partia. Ato ekzaltojnë mësimet e partisë e, ngandonjëherë, evidentojnë mundësinë e riedukimit” dhe të të drejtës për të punuar, që partia u njeh dhe jep edhe “armiqve e familjeve të tyre” ndërsa, në të njëjtën kohë, kërcënojnë edhe me “shpatën e mprehtë’ të saj, në varësi të qëndrimit të “armiqve”.58 Me patetizëm të skajshëm, krahas mësimeve të partisë, gjyqësori nuk ngurron të evokojë edhe popullin dhe nënat shqiptare në ekzaltimet partiake dhe në atribuimin e rrezikshmërisë së veprave dhe autorëve.59 Analizat e elementeve të figurave të veprave penale është e mangët. Për elementet e anës objektive, duket se veprimet dhe faktet që shpien në dënim konsistojnë në mendime e fjalë, që i nënshtrohen vlerësimit mbi bazë pozicionimi ideologjik të gjyqtarëve. Vlerësimi mbi elementet e anës subjektive, si qëllimet dhe synimet e hiperbolizuara, është jorealist dhe duket i paarsyeshëm. Elementet, përgjithësisht, provohen me thënie të të pandehurve, bashkëpandehurve dhe dëshmitarëve përpara hetuesisë dhe gjyqit. Vendimet pasqyrojnë aktakuzat (që janë më të detajuara në përshkrimin dhe analizimin e fakteve). Ato gjithmonë lihen në fuqi, nga gjykatat më të larta. Thjesht, të menduarit dhe folurit ndryshe, apo kundër nga cilido, me cilindo e kudo, siç del qartazi nga këto vendime, barazohet pa ekuivok, me veprimtari armiqësore të denjë për dënimet më të ashpra. Kështu, mund të përfundoje në Spaç nëse veprën e “agjitacionit dhe propagandës” e kishe konsumuar duke lavdëruar jetën në vende kapitaliste, duke u tallur me udhëheqësit, duke mos njohur “fitoret e mëdha të partisë” e duke “ëndërruar për shkuar jashtë shtetit”60. Ose duke u shprehur kundër vijës marksist-leniniste, simpatizuar jetën në Perëndim e folur për liri dhe të drejta në këto vende, si dhe duke shfaqur mospëlqim për programet televizive vendase.61 Mund të ridënoheshe ndërsa vuaje dënimin në Spaç, për veprën e “agjitacionit dhe propagandës” të konsumuar me fjalë që konstatonin prishjen e marrëdhënieve me shtete të tjera, a duke shfaqur mendime personale, mbi çfarë mund të ndodhë në këto drejtime62; duke shfaqur mospëlqim për kooperativizimin e duke thënë se përmes pronës private jetohet më mirë, duke u shprehur se në vende kapitaliste ka më shumë bollëk, në diferencë me Shqipërinë, ku njerëzit vuajnë nga të ardhurat e pakta dhe dyqanet janë bosh63; apo duke shprehur mendime mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare në raport me Kosovën, a shfaqur mospëlqim për tufëzimin e bagëtive64.
Në vendimet kundër të përfshirëve në atë që njihet dhe përkujtohet si “Revolta e Spaçit”65, krahas veprës së “agjitacionit dhe propagandës”, dënimet përfshijnë dhe veprat e “terrorit” dhe “pjesëmarrjes në organizatë kundër pushtetit popullor me qëllim kryerjen e krimit të sabotimit ekonomik”. Ndërsa arsyetime të njëjta, a ngjashme, evidentohen në lidhje me veprën e parë që përgjithësisht “konsumohet” me fjalë dhe parulla, për veprat e tjera të rënda, mungon një analizë e mirëfilltë e secilit element të veprës penale, vlerësim objektiv i fakteve, mjeteve në dispozicion dhe mundësive konkrete të realizimit të qëllimeve të pretenduara.
Analiza e vendimeve gjyqësore ndihmon ta shohësh e vlerësosh gjyqësorin e komunizmit përmes fjalëve të veta. Gjyqësori, në fjalët e veta, na vjen si pjesë e një sistemi pa ndarje dhe balancim pushtetesh e përgjithësisht, pa balancë; si një gjyqësor i politizuar e mbrojtës i vijës ideologjike të partisë; me shproporcionalitet në arsyetime dhe refrene ideologjike patetike; me mungesë objektiviteti e njëanshmëri të skajshme në gjykim; me mungesë garancish, për të pandehurit e mungesë mbrojtësi; me vlerësime të mangëta; i indoktrinuar e me gjuhë të papërshtatshme për vendime gjyqësore.Gjyqësori, në fjalët e veta, vjen si një hallkë e rëndësishme e mbajtjes në këmbë të një regjimi diktatorial. Gjyqësori, në fjalët e veta, na vjen si shpërfaqës dhe jetësues i botëkuptimit antiliri mendimi dhe fjale, po ashtu edhe si ekzekutor i çdo lirie tjetër.Mbetet e rëndësishme ta studiojmë dhe analizojmë gjyqësorin e komunizmit, ndërsa aspirojmë për rezultate konkrete, të zbatimit efektiv në praktikë, të standardeve më të mira të të drejtave të njeriut dhe proceseve të rregullta, siç ato parashikohen sot nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Të tjera:
Mendojini ata burra! Në uniforma ngjyrë kafe. Të ushqyer keq. Të veshur keq. Që jetojnë keq. Ata burra të nëmur që nuk e shohin familjen, që nuk i përkëdhelin fëmijët e që shpesh janë vetë pothuajse fëmijë. Që punojnë nën tokë, që dënohen nën tokë e shohin vetëm tokë. Mendojini ata burra- të zhgërryer në baltën e minierës, që tërheqin vagonë me bakër e pirit dhe ju jepet për të ngrënë vetëm një pjatë supë. Ata janë skllevër.
Edhe sikur të realizonin 100% normën e punës, përfitonin vetëm 10% të pagës së një minatori në kushte të lira pune.
Një studim i nëndrejtorit të tanishëm të burgjeve, për sistemet e vuajtjes së dënimit në diktaturë, Femi Sufaj, nxjerr në pah se parashikimi për realizimin e normës ishte deri në 225%. Në këtë rast një punëtor i thjeshtë i burgosur përfitonte 35% të pagës së realizuar. Në qoftë se kalohej realizimi i normës mbi këtë kufi, pagesa nuk ndryshonte. Personat që nuk realizonin normën 100%, pagesa llogaritej në përpjesëtim të kundërt pra në zbritje.
“Në vitin 1972 me VKM nr.152 u ndryshua VKM nr. 120 datë 9.9.1968 mbi shpërblimin e punës së të dënuarve. U rivendos pagesa e të dënuarve që punojnë deri në 15% të pagës së caktuar për të njëjtën punë. Si dhe u bënë disa përmirësime në dietën e ushqimit duke rritur 100-160 kalori nëpërmjet futjes së zarzavateve. Megjithatë duke u nisur nga të dhënat e Institutit të Higjenës dhe Profilaksisë, kaloritë që merrte një i dënuar, ishin shumë më të ultë se vlerat minimale të rekomanduara”, shkruan Sufaj në librin “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist (1945-1990)”.
MILIONAT QË SHTETI FITONTE NGA TË DËNUARIT
Me interes është të vihet në dukje se nga puna e të burgosurve siguroheshin të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, që më pas përdoreshin përveç nevojave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryesisht nga Ministria e Financave për investime në sektorë të tjerë. Sufaj merr në shqyrtim disa raporte mbi bilancin ekonomik të të ardhurave të krijuar nga puna e të burgosurve dhe thekson se ata përballonin punët më të vështira të vendit dhe përbënin një faktor të rëndësishëm për shtimin e të ardhurave. “Në vitin 1948, realizimi i të ardhurave nga puna e të burgosurve raportohet 10.780.420.50 lek, me kursin e kohës. Gjatë vitit 1950, raportohen 16.000.000 lek”, shënon Sufaj. Vetëm nga Spaçi, sipas Femi Sufaj, shteti shqiptar siguron në vitin 1979 shumën prej 3.537.0001 lekë ndërsa në vitin 1981 shumën prej 219 3984 lekë, ndërsa në rastin e tharjes së kënetës së Maliqit gjatë vitit 1950 kanë punuar 900 të dënuar, të cilët kanë kryer 110000 ditë pune dhe siguruar 12.671.741.50 lek të ardhura; gjatë vitit 1951 në këtë kamp kanë punuar 1085 të dënuar duke kryer 148.026 ditë pune dhe realizuar 22.773.449.65 lek të ardhura sipas Arkivit të Ministrisë së Brendshme (Fondi Dega e Kampeve dhe Burgjeve, D.17, V.1951)
Sipas statistikave të nxjerra nga përllogaritjet e Autoritetit të Dosjeve, përgjatë 23 viteve që Spaçi u kthye në kamp pune të detyruar, 2000 të burgosur kanë prodhuar 2.82 milionë ton bakër dhe 1.3 milionë ton pirit, që përkthehen në 2500 kg flori, thotë Gjergj Marku, anëtar i AIDSSH-së.
Inxhinieri Halit Shqarthi vëren se në vitin 1969, miniera nxirrte vetëm 50 mijë ton bakër, ndërsa në vitin 1981, me shtimin e numrit të të burgosurve, prodhimi u rrit me 4 herë, rreth 200 mijë tonë në vit.
NJË KUKULL PËR VAJZËN
Fatos Lubonja është mbase një prej të dënuarve që ka mundur të sqarojë më mirë rutinën e kampit. Përshkrimi i ditëve të punës që nisnin në orën 5 të mëngjesit, doemos nuk shmangin normën. “Ata thoshin material- trupa-bira. Po të mos e bëje normën haje birucën si dënim, ose, rrije i lidh në hekura jashtë dhe sidomos kur shkelje rregullat”. Kur u dënua me burg, la në shtëpi 2 vajza, më e vogla vetëm 1 muajshe. Ishin letrat e të ëmës që e mbanin gjallë duke i përshkruar çdo javë, si rriteshin të bijat. “Puna që bënin ishte e papame. Njëherë u futa në një garë në minierë dhe bëmë avancim. Aq shumë avancim bëmë sa kaluam normën dhe mbaj mend që mora 3 mijë lekë, atëherë i mora gocës një kukull. Ishte garë, garë pune mes të burgosurve”, kujton ai në një dëshmi dhënë AIDSSH-së për Spaçin.
GËZIM ÇELA, KITARISTI I KAMPIT TË SPAÇIT
Një kohë, kampi i Spaçit kishte një dhomë që të burgosurit e quanin edhe dhoma e kulturës. Gëzim Çela kujton se kishin një shok nga Fieri që ishte mandonalist i mirë. “Ai më thoshte Gëzim na gjej një kitarë se vetëm me mandolinë nuk bëhet muzikë. Kur erdhi nëna në takim, i thashë të takojë kitaristin Medi Prodanin dhe ti thoshte se Gëzimi do një kitarë. Ai vetë nuk kishte pasur kitarë dhe i kishte thënë Vaçe Zelës, të cilën unë e njihja se e kisha shoqe fëmijërie”. Çela tregon se kitara e Vaçe Zelës shkoi në kampet ku ishte Gëzim Çela.
Është pothuaj legjendë se në ditët e revoltës, në kampin e Spaçit, u dëgjuan tingujt e një kitare. Ish i dënuari Gëzim Çela ia jep meritën e këtyre tingujve Skënder Dajës, ish i dënuar dhe një nga të pushkatuarve si organizator i revoltës. “Një moment, më kujtohet se Skënder Daja kishte hipur në tarracë, kishte marrë kitarën time, kitarën që ma kishte sjellë Vaçe Zela”.
“Partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve sesa për njerëzit”. Kjo fjali e thënë shkujdesur nga Pal Gjergj Zefi nga Rrushkulli i Durrësit në të 30-at e tij, e çon atë në burgun e Spaçit për agjitacion e propagandë. Është viti 1973, koha e liberalizmit ka përfunduar. Pal Zefi mbërrin në burgun mes maleve, në një hon ku nuk ndjehen më gjurmët e njerëzimit. E nis dënimin 10-vjeçar duke refuzuar të punojë në minierë. Ngulmon ta kryejë dënimin me burg jo me punë të detyruar.
Refuzimit të tij, komanda i përgjigjet me izolim. Kur kryen izolimin e parë, ai refuzon sërish punën dhe lihet prapë në birucën e lagësht. Izolimi bëhej në biruca të errëta e të ngushta dhe të dënuarve u jepej natën vetëm një batanije që u merrej në mëngjes.
Në orën 5 të mëngjesit të 21 majit 1973, gardiani hyn në dhomën e Pal Zefit për të marrë batanijen. Zefi që ka kohë në errësirë, del me vrap nga dhoma e izolimit, i zë dora një shufër metali dhe ngjitet në tarracë. Gardiani i bën thirrje të kthehet në dhomën e dënimit, Zefi refuzon dhe i kërkon t’i rrijë larg, sepse do të godiste këdo që i afrohej.
Ndërsa në ndihmë të gardianit Fejzi Liço vijnë disa policë, të dënuarit që ishin zgjuar i shkojnë në ndihmë Palit. Nis përplasja mes të dënuarve politikë dhe gardianëve të repartit 303. Për shumë prej të dënuarve, çdo gjë ishte spontane dhe e paorganizuar.
“Zgjuar ishte vetëm turni i parë, 1/3 e të dënuarve që do shkonin në minierë. Unë isha turn i dytë dhe isha në gjumë në atë orë. Më del gjumi nga zhurmat. Afër meje kisha Fiqiri Mujon e Ali Hoxhën. I pyes çfarë po ndodh. Më thonë të hesht se kisha vetëm 3 muaj për të mbaruar dënimin. Por mua nuk më rrihej. Rrëmuja dëgjohej, kishin nisur ulërimat”, kujton ish i dënuari, Shkëlqim Abazi. Ai del në dritare dhe shikimi i kapi të dënuarin Muharrem Dyli që i qëllon me pëllëmbë policit që godiste Pal Zefin.
“Policët u turrën të kapin Pal Zefin, po ne të burgosurit instinktivisht i ndërpremë ata edhe bilës filluam edhe ndonjë grusht. Oficerit të rojës, Fejzi Liços i ra kapela në tokë dhe iu shkel ylli i kapelës” thotë ish i dënuari Gëzim Çela. Sipas të dënuarit tjetër, Nuri Stepa, mes policëve dhe Pal Zefit ishin futur Pavllo Popa e Syrja Lame, ndrësa ky i fundit godet operativin.
Në këtë pikë dëshmitë janë të turbullta. 50 vite më vonë, është e vështirë të rindërtosh ngjarjen megjithatë, Abazi, kujton Tartin-qenin që rriste miku i tij Fiqiri Mujo, që del nga fjetina dhe ju shkon në ndihmë të burgosurve duke ju sulur policëve. “Një shkodran që ishte aty ju thotë shokëve ‘na turpëroi Tarti, po lufton me policët dhe ju bëni sehir’. Këto ishin shkëndijat që futën zjarrin. U çuan të gjithë 20, 30,40 veta- sa ishin nuk e di. Policët e gjetën veten shumë keq, u ranë kapelat nëpër themele e ikën me vrap”, thotë Abazi. (Versioni i tij pothuaj konfirmohet nga dosja mbi ngjarjen, sipas të cilës, policët ikën sepse situata qe tensionuar).
Tarti, qeni i të dënuarve, do të pushkatohej si kryengritës pas revoltës. Ish i burgosuri Nuri Stepa, e jep shembullin e kafshëzës për të ilustruar mizorinë. “Ata pa pikë turpi kanë pushkatuar edhe qenin sepse u bë bashkë me ne, kundër policëve. Po ai u sulej policëve dhe ata binin në gropë”.
ORËT E KRYENGRITJES
Pas tensionit fillestar dhe ikjes së policëve, u duk se ra qetësia në kamp. Një pjesë e turnit të parë kishte ikur në punë në minierë.
Dokumentet e dosjes sugjerojnë se në kamp nuk pati zhvillime, deri në orën 15:30 kur aty mbërriti grupi operativ-hetimor dhe u arrestua Pal Zefi e pas tij, Syrja Lame, që u çua në dhomën e izolimit. Por kur grupi operativ deshi të arrestonte Pavllo Popen dhe po e shoqëronin për në dhomën e izolimit, Pavllo u iku policëve dhe u fut mes turmës së të dënuarve, të cilët e morën menjëherë në mbrojtje, duke thirrur “ja vdekje ja liri”, “nuk punojmë në galeri”, “ju jeni katilë” etj.
Kampi tashmë ishte nën kontrollin e të burgosurve që thyen tabelat e emulacionit me parulla komuniste, ndërsa mbrëmjen e 21 majit u hapën birucat dhe u nxorën të izoluarit. Disa prej të burgosurve dolën në tarracë e në sheshin e apelit. Dëshmitarët thonë se Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta nisën të mbajnë fjalime dhe të recitojnë poezi antikomuniste. Në një bisedë për “Newsbomb”, Nuri Stepa i përshkruan me emocion orët e revoltës. “Brohorisnim ‘poshtë komunizmi’ e ‘poshtë Enver Hoxha. Skënder Daja që ne i thoshim ‘cupili i vogël’, i bëri thirrje ushtrisë të bashkohej me ne, se ishin vëllezërit tanë. Sheshi i apelit ishte plot, ndërsa mbi kokat tonë kalonin helikopterë. Matanë komandës kishin mbërrit edhe tanke. Në orën 1 të natës të datës 22 maj, në kamp valëvitej flamuri pa yllin komunist. Copa e kuqe ju mor Rexhep Lazrit nga jorgani, ndërsa shqiponjën e pikturoi Mersin Vlashi. Flamuri u ngrit nga Gjet Kadeli, Rexhep Lazri dhe Murat Marta, ndërsa roje i bënte Ndrec Çoku. Dikur nisi një breshëri automatike. Plumbat kalonin mbi kokat tona. Ata po i gjuanin flamurit, por nuk e kapi asnjë plumb”.
Dy orë pasi flamuri i revoltës nisi të valëvitej, në kamp kishte mbërritur zëvendësministri Feçor Shehu. Dosja shënon orën 03:00 të mëngjesit. Zyrtarisht, në orën 08:00 nga komanda u bëhet thirrje të burgosurve. Nuri Stepa, dëshmitari që flet për “Newsbomb” është një nga tre të burgosurit që shkuan të flisnin me Shehun.
“Ai kishte ardhur natën. Në kamp thuhej se me të ishte edhe Kadri Hazbiu. Koço Papa na kishte mbledhur te mensa, përfaqësues të çdo krahine që te vendosnim kërkesat tona, ku thoshim se kërkojmë të mos ridënohemi, të mos punojmë në minierë, etj. Ne donim që Feçor Shehu të vinte poshtë të flisnim, por ai tha të dalë një përfaqësi lart. Atëherë dola unë me Paulin Vatën, që kishte qenë oficer.
Kaluam zonën e kampit poshtë dhe ishim në zonë rreziku, të dy palët ishim jashtë godinave por ne mund të na vrisnin. Madje një shoku im, Bep Konomi më kapte për duarsh kur dola, më tha mos dil se do ju vrasin ju që të na shtrojnë ne këtu. Por dolëm. Takimi ishte takim lufte. Letrën me kërkesa ia dhashë një polici”.
Feçor Shehu injoroi kërkesat dhe pasi i pyeti kush janë ju tha duhej t’ju komunikonin të tjerëve të ndaheshin mënjanë ata që nuk duan të punojnë ndërsa fajtorët do i gjenin vetë.
Papritur nga të turma e të dënuarve, thotë Stepa, u shkëput Hajri Pashai dhe ju afrua përfaqësisë. “Feçori e pyeti kush je, dhe Hajriu ju prezantua. Feçori i tha ti je i biri i Zenel Pashait, ai që ka vrarë pleqtë e plakat e Hekalit. Jo tha Hajriu, ke harruar që ti dikur i mbaje frerin e kalit”, kujton Stepa, ndërsa Shkëqim Abazi shton se “Pashai dhe Feçori që ishin nga e njëjta zonë. Po ku ka më kriminel se ty tha Hajriu ti je një sahan lëpirës. Ti i lëpije çizmet Zenel Pashait kur zbriste nga kali tha i vije kurizin te vinte këmbën tha po ti je kriminel. Biseda e Hajriut me zëvendës ministrin arriti në një gjuhë shumë ordinere ….jam dëshmitar vet”. Përfaqësia zbriti në kamp, pasi Hajri Pashai e paralajmëroi se fundi Feçor Shehut do i vinte nga të tijtë, siç do ndodhte më vonë.
Poshtë u pritën me brohoritma. Tashmë të burgosurit kishin dy ditë që nuk shkonin në minierë por kishin edhe dy ditë pa ushqim ndërsa komanda u kishte prerë edhe ujin.
“Nuk kishim as për të ngrënë as për të pirë. Ujin na e kishin ndalur. Për të pirë kishim ruajtur një depozitë nga ajo që përdornim për t’u larë”, thotë Nuriu. Orëve të lirisë po u vinte fundi.
“Në datën 23 në mëngjes, forcat speciale hynë me skafandra, me leva hekuri dhe kazanë me tela që të na lidhnin. Pati përplasje trup më trup me policinë. Filluan të hidhnin edhe gaz lotsjellës. Ne ishim edhe të pafuqishëm. Na kapën grupe grupe dhe na lidhën.
Dervish Bejko, Dashnor Kazazi, Jorgo Papa dhe Skënder Daja rezistuan deri në fund. Kishin hipur në tarracën e kampit. Ata bënë rezistencë. Kur na kishin lidh të gjithëve, hyri Feçori. Kalon afër nesh dhe del mbi një bordurë. E para gjë që tha ishte: ku janë ata që erdhën të flisnin me mua. Arrestojini. Ne ishim të gjithë të lidhur. Revolta u shtyp. Do shtypej se ne s’kishim asgjë, as armë e asgjë. Kishim shtetin kundër. Hajri Pashain e kishin lidhur dhe ishte afër meje. E kisha shok. Ishte djalë roboz. Kur na arrestuan me 23 maj, unë atë ditë kisha vesh xhaketë e një xhup. Në xhepa kisha futur 5 paketa cigare “Lux” e 2 pagure ujë. I them Hajriut që kisha afër, merr 2 paketa dhe 1 pagurë ujë. Kjo ishte biseda e fundit me të. Në autoburg më thanë se i kishte qerasur me cigare të gjithë, ju kishte thënë se ishin nga unë”, kujton Nuri Stepa. “Rezistenca e tyre u mposht me dhunë”, shkruhet në raportin e komandës së kampit për ngjarjen. Forca ushtrie shkuan nga Tirana në Spaç. U arrestuan shumë prej të dënuarve, 12 prej të cilëve ju bë një gjyq i shpejtë po atë natë, mes të cilëve edhe Pal Zefi(32 vjeç), Skënder Daja(28 vjeç), Dervish Bejko (27 vjeç) dhe Hajri Pashaj (23 vjeç) që u dënuan me vdekje ndërsa 8 të tjerë u dënuan me nga 25 vite burg.
Stepa sillet në Tiranë në hetuesi dhe ka përballë hetuesin Mehdi Bushati. Një tjetër hetues që është me të i thotë se Skënder Daja deri në fund kishte thënë poshtë komunizmi. Pastaj i tregojnë fotografitë e shokëve. “I kam parë të pushkatuarit, ishin në një zall lumi”, thotë Nuriu që u ridënua 13 vjet dhe u çua në Burrel.
Në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit popullor më 24 maj, kryetari i gjykatës së Lartë, Aranit Çela, vërente “ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve dhe jo para kampit”.
Orari i saktë se kur janë pushkatuar të katërt nuk dihet, vendi i pushkatimit, gjithashtu, por urdhri i Çelës ishte zbatuar. Të arrestuarve që ishin në hetuesi ju tregoheshin fotografitë e të vrarëve. 66 të burgosur të cilësuar si më aktivët në revoltë u ridënuan. Ditën e revoltës, Pal Zefi kishte thënë se nuk kthehej më i gjallë në birucë. E detyruan të mbante fjalën. Lugina e tmerrit e mori me vete pa i lënë as një varr ku të prehet.
VITI 1946
Më 6.12.1946 Ministri i Punëve të Brendshme Koçi Xoxe i dërgon një shkresë Ministrisë së Punëve Botore dhe të Bujqësisë e Pyjeve ku midis të tjerave thekson: ”Ndër burgje kemi një numër të konsiderueshëm të burgosur të cilët ushqehen dhe e shkojnë bukën kot. Në mënyrë që të aktivizohen në punë dhe veçanërisht të ekzekutohet dënimi i dhënë me punë të detyruar, ky dikaster ka ngritur si problem futjen e të dënuarve në punë.…
BASHKËPUNËTORËT
Informacionet për revoltën u dhanë nga 16 bashkëpunëtorë të Sigurimit: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e Bukur”, Shigjeta kaltër”, Bakri”, “Zjarri i Dytë”, Pushka”, Libri”, Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa” dhe “Vullnetari”. Sigurimi kishte një aktivitet të zgjeruar brenda kampit.
Madje edhe një nga përfaqësuesit e të burgosurve që u takuan me Feçor Shehun, do të bëhej me shtrëngim pas revoltës agjent i Sigurimit të Shtetit.
RRATHËT E FERRIT
“Duhet të keni parasysh që Spaçi kishte njëmijë burra, mirëpo si puna atij ferrit edhe Spaçi kishte
rrathët e tij. Kishte disa që bënin burg në Spaç që e kalonin burgun si në hotel, papunësi, luanin shah e rrinin aty- këta ishin të paaftë për punë. Kishte të tjerë që punonin në bibliotekë, kuzhinë, depo etj. Kishte të tjerë që punonin në galeri, por varet çfarë galerie dhe varet çfarë fronti. Aty ku kam punuar unë, zona e dytë, ishte tmerri absolut. Kur kam lexuar Dostojevskin kam thënë më marrtë te keqen ky, hiçgjë, s’më bënte pikë përshtypjeje. Ishte ku e ku më tmerr Spaçi, më i lemerishëm, një punë rraskapitëse që vetëm mosha ime e re që ë përballonte”- Ilir Malindi, ish i dënuar në Spaç.
KAMPI LËVIZËS QË NDËRTOI VENDIN
Reparti Nr. 303 u vendos në Spaç të Mirditës në vitin 1968, fillesat e tij janë në 25 maj 1951, kur me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme u krijua Kampi Nr. 2, i cili më pas do të quhej Reparti 303. Në vitet 1951-1968, ai shërbeu si një repart pune “lëvizës”. Fillesat e tij janë në Peqin, ku të dënuarit hapën kanalin Peqin-Kavajë, më pas punuan në ndërtimin e fushës së aviacionit në Urën Vajgurore, kanalit të Devollit, aeroportit të Rinasit, Sanatoriumit, kombinatit të mishit, peliçerisë, disa ndërtesave në fermën Gjergj Dimitrov, Uzinës së Traktorëve, Uzinës së Sodës Kaustike në Vlorë, etj. Në Spaç, sipas dokumentacionit e gjejmë me emrin “Repart Riedukimi”. Në Spaç përllogariten të kenë qenë 2000 të burgosur në vitet 1968-1991, nga të cilët kanë humbur jetën 32 veta. Të burgosur që janë dënuar me vdekje 7, të vrarë në tentativë arratisjeje, 5.