Fakte & Artefakte

Veshjet

Sipas dëshmive, dy ishin uniformat e përdorura në ish-kampin burg të Spaçit; uniforma ngjyrë kafe dhe një tjetër uniformë blu me vija kafe dhe të bardhë, të cilat ishin për stinën e verës. Të dënuarve u jepeshin gjithashtu 2 këmisha, 2 palë benevrekë të gjatë, pece për këmbët dhe 1 peshqir. Për dimrin ishin kapotat ushtarake të lyera me bojë të zezë, 4 batanije, dyshek kashte, 2 çarçafë, 2 këllëfë dhe jastëku prej kashte. Gjatë stinës së dimrit, të izoluarve në biruca, u lejohenin vetëm veshjet verore, pavarësisht temperaturave nën zero. 

Familjarët e të dënuarve mund të sillnin vetëm ndërresa dhe sende që ishin jetike si syzet me numër, por jo syze dielli

Ushqimi

Menjëherë pas mbërritjes në kamp, të dënuarit i jepnin enët e ushqimit, një tas dhe një lugë. Enët e tjera silleshin nga familjarë. Higjiena në mensë mungonte plotësisht. Shpesh vaktet ishin të pagatuara mirë dhe me papastërti. Uji i pijshëm ishte i ndotur nga mineralet e nëntokës.

Ushqimi ishte i pamjaftueshëm dhe sipas dëshmive me gramatura të përcaktuara më vete për ata që punonin nëntokë, për ata që punonin në sipërfaqe dhe për ata që nuk punonin për shkak të pamundësisë fizike dhe moshës. Familjarëve u lejohej që të sillnin ushqime për të afërmit e tyre që vuanin dënimin por nëse raste se takimet anuloheshin ushqimet nuk merreshin në dorëzim. Gjithashtu në kamp ekzistonte një kuzhinë tjetër përveç mensës ku të burgosurit mund të gatuanin ushqime që blinin në dyqanin e kampit nga paratë e pakta që arrinin të fitonin nga puna në galeri.

Dhuna

Kur një i dënuar nuk realizonte planin ose thyente rregulloren, për shembull: kur largohej nga fronti i punës, apo mbante sende të ndaluara, ai prangosej dhe i nënshtrohej dhunës fizike. Mjetet e tjera si, shkopi i gomës, zinxhiri, etj., përdoreshin gjithashtu për të torturuar të dënuarit. Disa nga parullat që kanë përdorur të dënuarit gjatë revoltës dhe që janë regjistruar në raportimet zyrtare të kampit (në faqet në vijim me ngjyrë vjollcë) Për t’i shpëtuar shtrëngimit të duarve, shumë të burgosur hapnin parakrahët fort, në mënyrë që polici të mos kishte mundësi të çonte hekurat deri në fund, duke krijuar një hapësirë te kyçet. Kështu shmangej dhimbja nga shtrëngimi i prangave. Sipas dëshmitarëve, këto lloj prangash quheshin pranga gjermane dhe shtrëngoheshin aq fort, sa shkaktonin gjendje të fikëti tek të dënuarit.

Dhuna fizike në kampin- burg të Spaçit është dëshmuar nga ish – të burgosurit politikë që vuajtën dënimin në kamp – burgun e Spaçit. Prej tyre dëshmohet shprehja e policëve “O normën, o shpirtin” me të cilën kërcënoheshin për t’u futur në galeri dhe për të plotësuar normën e punës. Dhuna e ushtruar nga policët apo rojet vihet re edhe në një dokument të arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të datës 31.03.1980 ku flitet për dhunën fizike dhe fyerjet që disa prej policëve kanë bërë kundrejt të dënuarve politikë

Mjete dhune. Objekt nga Muzeu Historik Kombëtar

Flamuri pa yllin komunist

Një nga çastet më kulmore të Revoltës së Spaçit ishte ngritja e flamurit pa yllin komunist. Sipas dëshmive të ish- të dënuarve politikë për AIDSSh, flamuri u ngrit gjatë mesnatës, duke gdhirë 22 maji i vitit 1973. Mersin Vlashi, pikturoi shqiponjën sipas modelit në një kuti duhani. Kjo kuti duhani gjendet në Muzeun Historik Kombëtar.

Mbijetesa nëpërmjet artit

Për t’i shpëtuar presionit të fortë fizik dhe psikologjik, lodhjes, keqtrajtimit dhe vuajtjes shpirtërore, të dënuarit gjenin të gjitha format e mundshme të ushtrimit të profesionit që kishin para se të dënoheshin ose edhe të punimeve të ndryshme artizanale. Publicisti Fatos Lubonja, gjatë qëndrimit të tij në Spaç, shkroi në fleta cigaresh, ndërsa gdhendi disa objekte artistike me bërthama pjeshke, apo kuti të veshura me farat e frutave. Këto punime janë pjesë e koleksionit të tij personal.

Në foto, shkrime në fleta cigaresh dhe objekte që publicisti Fatos Lubonja, gdhendi me bërthama pjeshke, apo realizoi kuti të veshura me farat e frutave gjatë qëndrimit të tij në Spaç. Pjesë e koleksionit personal të z. Lubonja. Foto: D. Zanaliu.

Kushtet Higjeno-Sanitare

Mbështetur në dëshmitë e ish – të dënuarve politikë në kamp – burgun e Spaçit, të njohur në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit si “Reparti i Riedukimit nr. 303” dhe të dhënat arkivore, pasqyrohet jeta në kamp, me problematikat dhe kushtet e vështira çnjerëzore higjeno-sanitare.

Sipas dokumentit në Kutinë nr.4 Fondin nr. 10, Dosja nr. 147, Viti. 1980 nuk kishte dhomë të përpunimit sanitar dhe as autoklavë. Secilit të dënuar i takonte 2-3 m3 ajër dhe një sipërfaqe oborri më pak se 1 m2. Raportohej se sasia e ujit nuk ishte e mjaftueshme sepse ujësjellësi ishte në kapacitet të vogël dhe me tuba hekuri të ndryshkur. Një rubinet uji u përkiste 70 personave, një dush për 60 persona dhe një tualet për 60 persona. Ujërat e zeza derdheshin direkt në përrua. Nuk kishte furnizime të rregullta me medikamente dhe dezinfektantë të ndryshëm.

Kushtet e vështira jetësore në Spaç, problemet higjeno-sanitare, ishin një ndër faktorët kryesorë të cilët shkaktonin shqetësime shëndetësore tek të dënuarit, sëmundje të ndryshme, raste helmimi nga ushqimi apo uji i pijshëm. Një dokument (kutia Nr.3, Fondi nr. 10, dosja 101, viti. 1979), paraqet informacionin dërguar Drejtorisë së Policisë dhe degës së shëndetësisë mbi shkaktimin e një helmimi tek radhët e të dënuarve.Më 17.08.1979, u paraqitën ankesa nga disa të dënuar për dhimbje barku dhe të vjella, të cilat u shtuan me kalimin e kohës. Nga vizitat e kryera nga mjeku, u arrit në përfundimin se rasti ishte shkaktuar nga uji me ndryshk”.

Nga dëshmitë e ish-të dënuarve politikë në kampin-burg të Spaçit, për AIDSSH, uji i pijshëm dhe ai që përdorej në gatim kishte acid, sepse ndotej nga galeritë. Dy ditë para se të fillonte revolta, po hapeshin kanale për të sjellë ujin e pijshëm.

informacionin dërguar Drejtorisë Ekonomike e Repartit 321 Burrel, (kutia nr.3, fondi nr. 10, dosja nr. 98, viti. 1979)  mbi ankimet e të dënuarve lidhur me kushtet jetësore dhe shëndetësore, vihet në dukje mungesa e një mjeku dhe nevoja urgjente për furnizimin me medikamente, për sëmundjet reumatizmale, të stomakut, syrit dhe veshit.

Në një tjetër dokument (kutia nr. 6, fondi nr. 10, dosja nr. 216, viti. 1982), pasqyrohet shfaqja në kamp e parazitëve dhe çimkash, e cila është një dëshmi e mungesës së kushteve higjeno-sanitare dhe mungesës së dezinfektantëve.

Kamp-burgu i Spaçit kishte një infermieri e cila ishte menduar të përmbushte gjithë nevojat shëndetësore të kampit, por, referuar disa periudhave kur fluksi i të sëmurëve ishte i lartë, ( të plagosur në aksidente, të ftohur, të helmuar nga ushqimi, apo gazet e nëntokës në galeri, sëmundje kronike, apo edhe shumë shqetësime të tjera shëndetësore), infermieria nuk përmbushte as nevojat më minimale që kishin të burgosurit. Sipas dosjes së lartpërmendur, mbi shërbimet stomatologjike në repart, kishte një klinikë dentare për të dënuarit, por pa furnizime materialesh për terapi dhe proteza apo edhe barnash të tjera të nevojshme.

Sipas dëshmive, në vitet 1968-1971, në Spaç ekzistonin 4 fjetore, që ishin baraka një katëshe, prej pupuliti. Më vonë në kamp, u ngritën fjetoret tre katëshe, ku në çdo dhomë, flinin nga 35 deri në 50 të burgosur. Tualeti në vitet e para të funksionimit të kampit ishte një barakë e madhe drejtkëndëshe, i ndërtuar me llamarina dhe dërrasa, ndërsa çatia ishte prej eterniti. Dushet ishin përballë me tualetet

Telefon: +35542210424
 

© 2024 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.