Post-Revolta
• Ngjarjet e zhvilluara në Repartin 303 në Spaç, nxitën ndërmarrjen e masave shtrënguese ndaj të dënuarve politikë. Duke marrë në konsideratë situatën e krijuar, me qëllim zbulimin dhe dokumentimin e pjesëmarrësve në revoltë, nën urdhrin e zv/ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme u morën disa masa agjenturiale-operative-hetimore ndër të cilat ishin: 1-Cilët ishin pjesëmarrësit në revoltë?; 2-Si lindi revolta, çfarë e shkaktoi? 3-Deri ku shtrihej veprimtaria armiqësore e të dënuarve, parullat që u hodhën, të dhënat mbi ngritjen e flamurit.
• U arrestuan menjëherë 68 të dënuar. Midis datave 23-24 maj, 12 prej të dënuarve do të gjykoheshin nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili përfundimisht të pandehurit Skënder Daja, Hajri Pashaj, Pal Zefi, Dervish Bejko i dënoi me vdekje, ndërsa të pandehurit e tjerë me nga 25 vjet heqje lirie, përveç dënimit të mëparshëm që kishin. Dënime të tjera pasuan edhe për rreth 70 të burgosur të cilët u dërguan në hetuesinë e Tiranës menjëherë pas shtypjes së revoltës me forcë.
• U morën në pyetje të gjithë të dënuarit e Repartit të Riedukimit, për të analizuar qëndrimin e tyre dhe do të studioheshin mbi bazën e materialeve të grumbulluara nga agjentura, të cilat më pas do i kalonin hetuesisë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë armiqësore që u organizua në shpërthimin e revoltës.
• U forcua agjentura në bazë turni, brigade, dhome.
• U forcuan masat ushtarake nga komanda, për rritjen e sigurisë në Repart dhe parandalimin e tendencave të mprehta.
• Përfundimi i revoltës nuk do të ndryshonte gjendjen e vështirë të dënuarve, përkundrazi kampi-burgu i Spaçit u bë edhe më i egër, por megjithatë ajo ishte fytyra e luftës kundër regjimit, organizimit, bashkimit dhe kundërveprimit, edhe aty ku ishte e pamundur të arrije rezultat, në burg.
Referencë:
F. Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, D. ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”, fleta 101.
F. Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, D. ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”, fleta 229.
F. Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, D. ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”, fleta 231.