Ekspozita

Gjurmë qëndrese dhe solidariteti

(21 Maj 2023)

Me rastin e organizimeve për përkujtimin e 50-vjetorit të Revoltës së Burgut të Spaçit, Autoriteti shpalosi “Instalacionin artistik “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti”, me 10 silueta njerëzore, në shenjë kujtimi dhe përjetimi të dhimbjes, vuajtjes dhe qëndresës që kalonin çdo ditë gratë, fëmijët dhe familjarët e të dënuarve. Instalacioni “Gjurmë qëndrese dhe solidariteti” nën hashtagun #KurrëMëDiktaturë, përmban tregimet e 10 njerëzve që kanë vuajtur në burgun e Spaçit përfshi këtu dhe familjarët e tyre gra, nëna e fëmijë, të cilët po ashtu si të afërmit e tyre të burgosur i bënë ballë padrejtësisë me vetmonim e dinjitet njerëzor.

Iljas Kajo, ish – i dënuar politik me akuzën për agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin me 8 vite burg në Spaç.

Ioann Çeli, ishte 16 vjeç kur i arrestohet i ati, Petro Çela, ushtarak i dënuar politik me akuzën për akte të dhunshme kundër pushtetit popullor.

Leonard Bejko, ishte 5 vjeç kur iu pushkatua babai, Dervish Bejko, i dënuar në vitin 1971 me akuzën tentativë për arratisje. Është një nga të dënuarit me vdekje të Revoltës së Spaçit, që shpërtheu më 21 maj të vitit 1973.

Lirie Alibali, gruaja e Ylli Alibalit dhe kunata e Xhevat Alibalit, ish-të dënuar me akuzën për agjitacion e propagandë.

Luke Syku, gruaja e Prel Sykut, i arrestuar dhe dënuar me 20 vite burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë.

Menduhije Pojani, vajza e Njazi Bylykbashit, ish– i dënuar politik, për agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin në burgun e Spaçit.

Napoleon Gumeni, ishte 10 vjeç në prill të vitit 1970, kur iu arrestua babai, Izet Gumeni, dënuar me 25 vjet heqje lirie me akuzën për bashkëpunim me bandat.

Ornela Vorpsi, vajza e Seit Vorpsit, i dënuar politik me akuzën për agjitacion e propagandë. Vuajti 8 vite burgim, pjesën dërrmuese në Spaç.

Rajmond Sejko, djali i madh i Teme Sejkos, i arrestuar dhe dënuar për agjitacion e propagandë, me 8 vjet burg në Spaç.

Ylber Merdani, ish – i dënuar politik, me akuzën për agjitacion e propagandë. Vuajti dënimin me rreth 10 vite burg në Spaç.

Telefon: +35542210424
 

© 2024 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.