Letra nga burgu
Vangjel Lezho
Me vendim Nr. 5 dt. 2- 06.XII.1963 të Gjykatës së Lartë, u dënua me akuzën për tradhti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë, në bazë të neneve 64, 67-10, 14, 73/1 të K.P me 25 vjet heqje lirie. Ridënohet në maj të vitit 1979 me vdekje me pushkatim, me akuzën e agjitacionit dhe propagandës armiqësore të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 55/I-rë-13 të Kodit Penal.
Letra e shkruar nga Vangjel Lezho në Kamp-Burgun e Spaçit, gjatë kohës që vuante dënimin, drejtuar Ramiz Alia, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, mban datën 01.08.1978. Në maj të vitit 1979 u ridënua me vdekje me pushkatim
01.08.1978
Ramiz Alia
Sekretar i KQ të PPSH Tiranë
(Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë)
Në një shtet ku në rendin e ditës janë parullat patriotike-(për flamurin; për atdheun; për trojet e shenjta etj), ai as nuk ka vdekur dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet kur jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet mendimit dhe vijës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky mendim permanent dhe politik, bëhen qëllim jete për popullin, pa dyshim, ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e “kolltuqeve”, obskurantiste të shumë mbretllarëve e sundimtarëve në të kaluarën dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta “udhëheqës” e të “zgjedhur” të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë dhe barazisë.