Ylber Merdani
Dëshmi
Pjesë nga dëshmia e ish-të dënuarit politik Ylber Merdani dhënë për AIDSSH Ylber Merdani, lindur më 28 maj 1940, në Korçë. Në vitin 1965 u dënua nga gjykata e Librazhdit dhe u pushua nga puna si arsimtar, për shkak të një sërë shkrimesh të quajtura me natyrë pesimiste. Ai vijoi të shkruante atë që jetonte. Poema “Një lamtumirë e hënëzuar”, e shkruar në 1965-ën në Stravonjë, u pasua nga krijime të tjera të shkruara në kohën kur u internua në katundin Pulahë të Oparit, në vitin 1967. Idetë e tij në shkrimet: “Të dënuarit”, “Monologu i një vetëvrasësi”, “Malet”, “Motrës dhe vëllait për ditëlindje”, etj., u bënë shkak për akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor’’. Pas internimit u arrestua më 9 qershor 1969 dhe me vendim të Gjykatës së Rrethit Korçë u dënua me tetë vite burg në Spaç ku u përfshi edhe në revoltën e vitit 1973.
