Puna e detyruar
Burgu i Spaçit ishte një kamp pune të detyruar ndaj ai mund të quhet kamp-burg ndërsa në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit ai quhej “Reparti i Riedukimit nr.303”, por riedukimi nëpërmjet punës nuk ishte në përputhje me të drejtat e njeriut. Puna e detyruar nuk ishte në asnjë vendim gjykate, megjithatë të dënuarit politikë që dërgoheshin në Spaç shfrytëzoheshin me forcë si fuqi punëtore për të nxjerrë bakër dhe pirit. Kush refuzonte të dilte në punë, ndëshkohej me tortura fizike dhe mbyllej në biruca izolimi. Dhuna dhe shfrytëzimi është dëshmuar edhe nga ish-të dënuarit politikë në dëshmitë audiovizuale që ata dhe të afërm të tyre kanë dhënë për AIDSSH-në.
Në 23 vite të ekzistencës së kampit burg të Spaçit vuajtën dënimin rreth 2200 të dënuar. Në një pjesë të faqeve të Regjistrit mbi të dhënat statistikore për prodhimin, cilësinë, punimet minerare dhe fuqinë punëtore në minierat e Mirditës, arkivi i Shoqërisë “Albbakër”.që pasqyronte të dhënat e Sektorit të Spaçit jepen të dhëna sipas prodhimit, cilësisë, punimeve apo fuqisë punëtore. Me zërin “prodhim” emërtohet nxjerrja e mineralit në Ton. Në zërin “cilësia” shënohet përqindja që zinte bakri në mineralin e nxjerrë. Siç duket nga fleta e regjistrit, minerali nuk kishte as 1% bakër (në këtë tabelë në vitin 1981 përqindja e bakrit në mineralin e nxjerrë kishte qenë më e larta: 0.84 %).Në zërin “punimet” të shprehur në metër linearë, tregohet gjatësia e galerive të hapura në thellësinë e maleve të Spaçit. Për shembull, në vitin 1981 janë hapur 6416 metër linearë galeri, ose 6.4 kilometër linearë. Në zërin “fuqia punëtore” është numri i të burgosurve që punojnë. Në vitin 1985 kanë punuar në minierë çdo ditë mesatarisht 729 të burgosur. Numri i të burgosurve që kanë punuar nuk është i njëjtë me numrin e të burgosurve në Spaç, pasi gjithnjë kishte nga ata që nuk punonin për arsye shëndetësore, etj. ndaj gjithnjë ky tregues është më i ulët se numri i të dënuarve.
Pasqyrat që përpiloheshin në atë kohë për realizimin e planit, kishin si zë të parë realizimin e planit për të burgosur që do të punonin në minierë, tregues ky që tejkalohej çdo muaj e çdo vit. Treguesit ekonomiko-financiarë janë të dhimbshëm. Norma e ditës së punës ishte nxjerrja e 6 ton mineral bakri në turn apo 8 ton pirit në turn, për çdo punonjës të pakualifikuar, thjesht punëtorë kazme e lopate, që mbushnin e shtynin vagonat me mineral. Punohej me tre turne, pra ditë dhe natë. Paga ishte përcaktuar me ligj: 10% e pagës së një punonjësi të lirë, për të njëjtën punë të kryer. Të burgosurit politikë të Spaçit kryen në 23 vite punë të detyruar në nëntokën e Spaçit, 88.388 (tetëdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë e tetë) metër linearë punime minerare. Çdo metër linear, është hapur vetëm nga të burgosurit. Ato punime shërbenin për kapjen e mineralit të bakrit, nxjerrjen e tij, etj. Të burgosurit politikë nxorën nga nëntoka e Spaçit, rreth 3 milionë tonë mineral bakri dhe rreth 1 milion ton mineral piriti. Në tabelë janë të dhënat nga Shoqëria “Albbakër” për prodhimin e mineralit të bakrit dhe të piritit në ish-Minierën e Bakrit Spaç, në vite, kjo për të treguar edhe shfrytëzimin që i është bërë deri në vitin 1990.
Nga minerali i bakrit, përqindja-bakër e të cilit ishte rreth 1%, pas përpunimit të tij u përftuan rreth 30 mijë tonë bakër, sasi kjo që në bursat e kohës ku bakri kuotohej nga 1900$/ton deri në 3500$/ton, ishte rreth 90 milionë dollarë. Sasi të mëdha të prodhimit të mineralit nga Spaçi shkonin në Uzinën e Telave Shkodër, ku prodhoheshin produkte të rëndësishme për industrinë energjitike dhe mekanike. Pjesë tjetër e prodhimit të bakrit, eksportohej, shitej në tregje apo shkëmbehej me klering me shtete të ndryshme, për makineri bujqësore etj. Piriti ishte lëndë e parë në Uzinën e Superfosfatit, ku prodhoheshin plehrat kimike për bujqësinë, etj.
Viti | Mineral Bakri (ton) | Mineral Piriti (ton) |
1966 | 13600 | 7355 |
1967 | 20403 | 30619 |
1968 | 28088 | 45069 |
1969 | 24947 | 30036 |
1970 | 30000 | 38237 |
1971 | 41443 | 37280 |
1972 | 60059 | 43580 |
1973 | 65613 | 35593 |
1974 | 76540 | 43869 |
1975 | 84795 | 43474 |
1976 | 95983 | 36098 |
1977 | 111516 | 47057 |
1978 | 139090 | 48281 |
1979 | 150659 | 54749 |
1980 | 156502 | 71532 |
1981 | 184134 | 70643 |
1982 | 172515 | 80219 |
1983 | 150794 | 92000 |
1984 | 184995 | 89001 |
1985 | 168986 | 92410 |
1986 | 168106 | 54012 |
1987 | 187815 | 54775 |
1988 | 183574 | 50958 |
1989 | 192338 | 48800 |
1990 | 126752 | 48750 |
1991 | 34729 | 22988 |
1992 | 35885 | 6551 |
1993 | 37867 | 7358 |
1994 | 34142 | 3309 |
1995 | 62737 | 2649 |
1996 | 53789 | |
1997 | 7098 |
|
1998 | 18246 |
|
Totali | 3103740 | 1337252 |
Aksidentet dhe vdekjet në punë
Të shumta ishin aksidentet e ndodhura në punë ku të dënuarit politikë detyroheshin të punonin pavarësisht rrezikut për jetën. Një pjesë e atyre që mbijetuan, dëshmojnë se kur puna bëhej e rrezikshme për jetën atëherë ata vetëlëndoheshin në mënyrë që të mos hynin në galeri.
Dëshmitë e ish- të burgosurve politikë, por edhe dokumentet e arkivit të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin për shumë raste plagosjeje si dhe vdekjeje në minierë.
Rasti i njërit prej tyre dokumentohet në Fondin nr 10, dosja 136, faqja 8 ku thuhet se i burgosuri kishte humbur jetën pasi polici e kishte shtyrë të nxirrte mineral në pjesë të paarmatuara të galerisë. Policit iu dha masa disiplinore “Qortim para efektivit të policisë”.
