Rrethimi dhe Siguria

SKEMA E RRETHIMIT

Territori i kampit të Spaçit, shtrihej në një sipërfaqe të gjerë dhe kishte rrethim të dyfishtë me panele dhe tela me gjemba me lartësi deri në 4 metra. Mbi çdo shtyllë që mbante rrethimin me tela me gjemba ishte instaluar një prozhektor.
Rrethimi më i madh ishte ai që përmblidhte të gjithë territorin e kampit dhe të faqes së malit ku ndodheshin katër galeritë e minierës së Spaçit.
Rrethimi më i vogël ishte ai i zonës ku jetonin të burgosurit politikë. Pikërisht jashtë këtij rrethimi, qëndronin birucat, për të shkëputur kontaktin e të izoluarve me pjesën tjetër të të burgosurve.
Rrethimi i jashtëm ishte i siguruar nga një thurje telash me gjemba të vendosur vertikalisht dhe horizontalisht, i cili ndërpritej nga 30 kulla vrojtimi ku qëndronin ushtarë.
Në vitin 1956, rrethimi i jashtëm do të ruhej nga ushtarët, oficerët dhe nënoficerët, që zëvendësuan policët.
Të dhëna mbi rrethimin e kamp-burgut të Spaçit, paraqiten në Dosjen ORV, Nr. 123, të vitit 1979, (foto) në të cilën dokumentohet skema e rrethimit. Edhe në fondin e arkivës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në fondin nr. 10, D.220-V.1982, gjendet një hartë mbi sigurinë e kampit-burg. 

Përpos rrethimeve të kampit-burg, ishin organizuar edhe grupe vullnetare me banorë të zonave rreth Spaçit, me qëllim kapjen e atyre që ia dilnin mbanë që të kapërcenin të gjitha rrethimet. Në këtë mënyrë, arratisja nga Spaçi bëhej thuajse një mision i pamundur për të burgosurit.

Referencë: Arkiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Fondi nr. 10, D.220-V.1982

SIGURIA NË RAST ARRATISJEJE

Për të shmangur çdo situatë arratisjeje nga kampi, përveç pajisjes së rrethimit të jashtëm dhe rrethimit të brendshëm me vendroje me ushtarë, roje komande dhe përgjegjës roje, këtij procesi i shërbenin përpilimi i hartave të sigurisë, me skemat e ruajtjes dhe mbrojtjes së kampit nga pika strategjike. Në dosjet e arkivit të AIDSSH-së, skemat e sigurisë në Spaç, të përpiluara për të shmangur rastet e arratisjeve, ilustrohen në 14 dokumente.
Pavarësisht sigurisë së lartë, përpjekjet e të dënuarve politikë në Spaç për të shpëtuar nga ferri i kampit – burg, nuk munguan. Janë të shumta rastet e arratisjes gjatë gjithë historisë së kampit-burg. Disa prej ish- të dënuarve ia dolën që të çanin rrethimet, por më pas u kapën, disa u ekzekutuan nga rojet e Spaçit dhe të tjerë u kapën dhe u ridënuan. Në raste të kapjes së të dënuarve apo asgjësimit të tyre, komanda propozonte për ushtarët roje edhe dekorime.

Referencë:
AIDSSH, F.1 H-Gj, Dosje nr.11893
AIDSSH, F. Dega e Punëve të Brendshme Mirditë, D. ORV, Nr. 123, “Reparti 303 Spaç”

Telefon: +35542210424
 

© 2024 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.