Të zhdukurit e Spaçit
Në bazë të Vendimin nr. 374, datë 02.06.2023 për fillimin e hetimit administrativ me qëllim qartësimin e fatit, gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personave të vdekur ose të zhdukur gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit. Nga verifikimet administrative, lidhur me personat që kanë humbur jetën në Spaç dhe figurojnë të zhdukur, në bazë të informacionit të mbledhur dhe studiuar nga AIDSSH, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe kërkesave të mbërritura në AIDSSH për qartësimin e fatit të zhdukurve, janë evidentuar një liste me persona që figurojnë të zhdukur. Për të shikuar listën mund të klikoni këtu.

Shpal, Mirditë
Janë përcaktuar koordinatat e vendvarrimit të njohur të Shpalit edhe sipas Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor.

20 metra larg vendvarrimit 1
Katër të pushkatuarit e Revoltës së Spaçit, Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pasha

Vendvarrimi i të pushkatuarit Ahmet Hoxha
Grupi i punës së AIDSSH ka bërë vizita kërkimore dhe është gjetur një vend ku mendohet të jenë varrosur eshtrat e të ndjerit
Rreth akteve që kanë përcaktuar praktikën e ndjekur për varrimin e trupave të të ekzekutuarve, vrarëve dhe vdekurve në kampe, burgje apo dhoma izolimi
Njihen dy Rregullore të viteve 1965 dhe 1977, të miratuara me urdhëra të Ministrit të Punëve të Brëndshme me numra përkatësisht 01-68, datë 16.10.1965 dhe Nr 01-33, datë 24.10.1977.
Në rregulloren e vitit 1965, thuhet shprehimisht në nenin 38 se “procesverbalet e kontrollit mjekësor të të vrarëve dhe procesverbali i mbajtur në vendin e ekzekutimit, qëndrojnë pa u asgjësuar tre vite nga dita e kryerjes së ekzekutimit”, ndërsa në Rregulloren e vitit 1977 “Mbi të dënuarit që vdesin ose ekzekutohen” theksohet mosdhënia e trupit për asnjë të burgosur, të vrarë apo të vdekur, pa bërë dallim mes të burgosurve politikë dhe jopolitikë. I vetmi dallim është që mbi varrin e ish të burgosurit politik duhet të shënohej një numër dhe mbi varrin e ish të dënuarit jopolitik duhej të shënohej emri dhe mbiemri.
Ky kapitull është ndryshuar me një udhëzim të Ministrit të Brendshëm me nr 01-90 datë 8.6.1983 “Për të rregulluar disa të meta që janë konstatuar në praktikën e deritanishme, për plotësimin e kërkesave të shtetasve, kur të afërm të tyre të dënuar, të arrestuar a të ndaluar, vdesin në kampet e riedukimit, burgjet apo në dhomat e izolimit”. Sipas këtij udhëzimi, trupat e të vdekurve-ish të burgosur jopolitikë, duhet t’u jepen familjarëve të tyre, madje edhe mbetjet mortore të të vdekurve vite më parë, mund t’u kthehen, pasi të kenë kaluar të paktën 3 vite nga koha e varrimit.
Ndërsa nuk jepen trupat e personave të dënuar me vdekje, që ekzekutohen pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk u ka falur jetën, të dënuarve për krime kundër shtetit, të dënuarve që për shkak të rrezikshmërisë shoqërore të tyre trajtohen në mënyrë të posaçme me urdhër të veçantë të Ministrit të Punëve të Brëndshme.
Po në këtë udhëzim, thuhet që për trupat e të vrarëve në përpjekje për t’u arratisur, etj, dhe që janë të paidentifikuar, mund t’u jepen edhe institucioneve mjekësore për veprimtarinë e tyre.
Në vendvarrimet e njohura të të vrarëve dhe të vdekurve në burgje gjatë viteve, deri në Qershor të vitit 1983, mund të gjenden eshtra edhe të të burgosurve jopolitikë, të vdekur.
Rregullat që ndiqeshin lidhur me trupat e të vrarëve dhe të vdekurve të të arrestuarve dhe të dënuarve në hetuesitë, kampet dhe burgjet e regjimit komunist në vitet 1945-1991, janë nga normat e shpërndara në mënyrën më diskrete të mundshme, kjo për vetë praktikat e ndjekura që në shumicën e rasteve, ishin krime më vete. Për të ilustruar citojmë një paragraf të një urdhëri të vitit 1986, të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Simon Stefanit, ku shprehimisht thuhet: “Pika 9. Urdhëri i Ministrit të Punëve të Brendshme nr…. datë ….10.1986, shfuqizohet dhe të asgjesohet sipas rregullave nga vetë organet dhe repartet”. Pra në praktikat e ndjekura, jo vetëm që janë shfuqizuar urdhëra, me urdhëra të mëvonshëm, por edhe janë asgjësuar shumë prej tyre.
PYETJE: Kush konsiderohet person i zhdukur gjatë periudhës së komunizmit?
PËRGJIGJE:
Në Shqipëri nuk ka një ligj specifik mbi personat e zhdukur gjatë regjimit komunist që përcakton se kush do të konsiderohet person i zhdukur gjatë kësaj periudhe. Sipas ligjit nr. 114/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 45, datë 30.4.2015, ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’”, për herë të parë jepet ky përkufizim:“Person i zhdukur”, sipas fushës së veprimit të këtij ligji, është personi i arrestuar, i burgosur, i rrëmbyer ose të cilit i është hequr liria në çdo formë tjetër nga agjentë të shtetit apo nga persona të tjerë a grupe personash, që kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të heqjes së lirisë ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur a e vendit ku gjendet ai, duke e shkëputur nga mbrojtja e ligjit.
PYETJE: Kush mund të raportojë për një person të zhdukur?
PËRGJIGJE:
1. Anëtari i familjes së personit të zhdukur ka të drejtë të raportojë për këtë çështje, referuar ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar. Bazuar në nenin 22 të këtij ligji, radha e përparësisë është kjo:
a) bashkëshortët;
b) fëmijët;
c) fëmijët e fëmijëve, kur personat e parashikuar në shkronjat “a” dhe “b” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
ç) prindërit, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
d) vëllezërit dhe motrat, kur personat e parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur;
dh) fëmijët e vëllezërve dhe motrave, kur personat e radhëve të mësipërme kanë vdekur ose janë shpallur të zhdukur.
2. Autoritetet përgjegjëse shtetërore, si: Policia e Shtetit, Autoriteti i Dosjeve, IPP, sipas fushës së veprimtarisë së tyre të rregulluar me ligj apo akte nënligjore.
PYETJE: Ku mund të raportohet për gjetjen e një personi të zhdukur?
PËRGJIGJE:
Kërkesa mund t’i drejtohet:
– Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Adresa: info@ autoritetidosjeve.gov.al
– Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë.
Adresa: Rr. “Xhorxh W. Bush”, Vila 2-katëshe nr. 7, Tiranë, e-mail: info@ishperndjekurit.gov.al
Mund të raportohet edhe te Qendra e Kërkimit Online të ICMP-së është një burim online i cili mund të përdoret nga familjet e personave të zhdukur.
Lexo më shumë në Udhërrfyes për të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit.
Në bazë të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar në Dhjetor 2022 është përcaktuar roli i AIDSSH në lidhje me procesin e gjetjes së personave të zhdukur gjatë diktaturës komuniste.
Në nenin 5, të ligjit u shtua paragrafi 1.1 ku është parashikuar:
“Me qëllim përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen, Autoriteti, mund:
- a) Të mbledhë deklarata nga palët, dëshmitarët dhe ekspertët duke garantuar në çdo rast konfidencialitetin e individëve, që ofrojnë informacion si persona të përfshirë ose në dijeni për rrethanat e çështjes;
- b) Të marrë materiale të tjera të dokumentuara nëpërmjet mjeteve fotografike të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike;
c)Të vizitojë dhe të kontrollojë sende apo vende që kanë të bëjnë me procesin”.
Gjithashtu në nenin 5, të ligjit u shtua paragrafi 1.2 që mundëson kryerjen e verifikimeve administrative me qëllim qartësimin e rrethanave dhe fakteve të çështjeve të caktuara.
“Çdo person është i detyruar të bashkëpunojë me Autoritetin kur rezulton se ka dijeni për rrethanat e çështjes, i kërkohet informacion si person i përfshirë ose që ka dijeni për rrethanat e çështjes, apo kur ai vetë disponon informacion që e ndihmon Autoritetin në punën e tij. Autoriteti në zbatim të këtij ligji ka detyrimin të garantojë konfidencialitetin për çdo person që bashkëpunon”.
Nisur nga këto ndryshime ligjore, me qëllim rregullimin më të detajuar të metodologjisë dhe procedurave të kryerjes së verifikimeve administrative në zbatim të paragrafëve 1.1 dhe 1.2 të nenit 5 të ligjit 45/2015, i ndryshuar, Autoriteti me vendimin nr. 625/10, datë 30.03.2023 miratoi Udhëzuesin “Për rregulla dhe procedura të verifikimit të rrethanave dhe fakteve mbi dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit.
Në vijim me Vendimin nr. 374, datë 02.06.2023 “Për miratimin e fillimit të procedurës së hetimit administrativ me qëllim qartësimin e fatit, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të të burgosurve politikë të vdekur ose të zhdukur gjatë vuajtjes së dënimit, në Burgun e Spacit)” (linku me vendimin) ka nisur hetimin administrativ për gjetjen e eshtrave dhe qartësimin e fatit të të burgosurve të ekzekutuar, të vrarë apo të vdekur në burg gjatë vuajtjes së dënimit në Burgun e Spaçit.
Hetimi administrativ është përqendruar në disa veprime kyçe:
- Komunikimi ndërinstitucional: Kontakti me institucionet që mund të kenë të dhëna për të vrarët, të pushkatuarit dhe të vdekurit në kampin e burgut të Spaçit, eshtrat e të cilëve nuk iu dhanë asnjëherë familjarëve të tyre dhe vendndodhja e tyre është mbajtur sekret.
- Kërkimi i dokumentacionit: Hulumtim i thelluar për gjetjen e rregulloreve, urdhrave dhe udhëzimeve që kanë përcaktuar praktikat e ndjekura me trupat e të ekzekutuarve, vrarëve apo vdekurve në burgje.
- Intervista me ish-të dënuar: Marrja në pyetje e ish-të dënuarve për të mësuar të vërtetat që ata kanë parë gjatë vuajtjes së dënimit, për të identifikuar emrat e policëve dhe ushtarëve që kanë shërbyer në burg.
- Komunikimi me familjarët: Kontaktimi me familjarët e personave të zhdukur për të mësuar përpjekjet që ata kanë bërë për gjetjen e eshtrave të të afërmve të tyre. Gjithashtu, kontaktimi me familjarët që i kanë gjetur eshtrat e të afërmve të tyre për të mësuar rreth kalvarit që ata kanë kaluar dhe për të marrë informacion për policët dhe punonjësit e burgut që i kanë ndihmuar me të dhëna për t’i gjetur.
- Vizita në vendvarrime: Vizitë në vendvarrime ku janë gjetur eshtra dhe mbledhja e të dhënave për qartësimin e procedurave të ndjekura në rastet e ekzekutimeve, vrasjeve, vdekjeve dhe varrimeve të trupave.
- Komunikimi me ish-punonjës të burgjeve: Kontaktimi me ish-punonjësit e burgjeve për të mësuar çfarë dinë ose mbajnë mend rreth mënyrës se si veprohej dhe vendet ku varroseshin të burgosurit që vriteshin ose vdisnin.
- Bashkëpunimi me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë: Mbledhja e të dhënave që këto shoqata kanë ose mund të gjejnë.
- Vizitat në vendvarrime të identifikuara ose të dyshuara: Hetimi dhe mbledhja e fakteve në vendvarrimet e dyshuara, si rasti i vendvarrimit të Spaçit, dhe përjashtimi i vendvarrimeve të tjera si rasti i vendvarrimit të pretenduar të Gziqit në Mirditë.
- Bashkëpunimi me pushtetin vendor: Bashkërendimi me autoritetet lokale për ruajtjen nga ndryshimi i territoreve të dyshuara si vendvarrime dhe pastrimi i tyre.
- Takimi me drejtues vendorë të Policisë së Shtetit Mirditë: Informimi i tyre mbi gjetjet dhe përcaktimet tona, duke kaluar nga marrja e dijenisë në përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e territorit të identifikuar si vendvarrim.
Draft-VKM–ja “Për përcaktimin e Autoriteteve Përgjegjëse për gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri 29 Nëntor 1944-2 Korrik 1991, si dhe mënyrën e mbrojtjes dhe ruajtjes së vendvarrimeve të identifikiuara ose të dyshuara , të personave të zhdukur në këtë periudhë”, është hartuar në kuadër të procesit të identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar, por edhe mënyrës së ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara të personave të zhdukur apo ekzekutuar gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991.
Draft-VKM-ja e propozuar nga AIDSSH, synon të përcaktojë përgjegjësitë në procesin e identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar, por edhe mënyrën e ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara të personave të zhdukur apo ekzekutuar gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991.
Ky draft është rezultat i një bashkëveprimi ndërinstitucional mesh AIDSSH-së, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, ICMP-së, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Institutit të Policisë Shkencore, të cilat kanë analizuar legjislacionin, kompetencat, dhënë mendime dhe sugjerime, artikuluar nevoja, kufizime e shqetësime, si dhe janë njohur me modele e praktika nga më të mirat në këtë fushë. Këto institucione, me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe Ministrisë Kroate për Çështjet e Veteranëve dhe në bashkëpunim me OSBE-në, janë njohur edhe me përvojën kroate në këtë fushë, përmes vizitës studimore të zhvilluar në shtator të vitit 2022. Vlejnë për tu përmendur edhe videokonferencat mes tryezës ndërinstitucionale dhe autoriteteve homologe kroate.
Autoriteti ndër vite është përpjekur të shtyjë përpara procesin e mbledhjes së informacionit për qartësimin e fatit të të zhdukurve, ku aktualisht janë 297 kërkesa të regjistruara për qartësimin e fatit të të zhdukurve. Gjithashtu, Autoriteti ka marrë një kërkesë edhe nga Arqipeshkvia e Shkodrës, me anë të së cilës vihet në dijeni për përndjekjen e klerit katolik nga regjimi komunist dhe pushkatimin e 38 klerikëve katolikë, eshtrat e 28 prej të cilëve vijojnë të mbeten të pagjetura. Vlen për tu përmendur edhe kërkesa e drejtuar nga Shoqata e ish- të Përndjekurve Politik Shkodër, me një listë e cila përmban 315 aplikime nga familjaret e të zhdukurve, për qartësimin e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur.
Në bazë të ndryshimeve që pësoi ligjin nr. 45/2015 në Dhjetor të vitit 2022, Autoriteti ka ndërmarrë edhe 3 vendime administrative gjatë vitit 2023, të cilat i shërbejnë qartësimit të fatit të të zhdukurve dhe konkretisht:
- Vendimi Nr. 371, datë 30.05.2023, për fillimin e hetimit administrativ të rasteve të para;
- Vendimi nr. 374, datë 02.06.2023, për fillimin e hetimit administrativ lidhur me Burgun e Spaçit;
- Vendimi nr. 535, datë 29.08.2023 për fillimin e hetimit administrativ për të zhdukurit në Shkodër.
Duke parë numrin e lartë të kërkesave për qartësimin e fatit të të zhdukurve, pa anashkaluar dhe kërkesat e familjarëve që i janë drejtuar Institutit të të Përndjekurve Politik dhe ICMP-së, si dhe evidentimi i disa vendvarrimeve të dyshuara, miratimi i këtij Draft-VKM-je, është i domosdoshëm për realizimin e procesit të identifikimit dhe rikuperimit të eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar, si dhe mënyrës së ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara të personave të zhdukur apo ekzekutuar gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991.
Me miratimin e draft vendimit parashikohet:
- Identifikimi dhe rikuperimi i eshtrave të personave të zhdukur ose të ekzekutuar do të japë përgjigje të nevojshme për familjet e tyre dhe për të drejtat e tyre të njeriut.
- Ruajtja e vendvarrimeve të identifikuara apo dyshuara do të ndihmojë në identifikimin e mëtejshëm të personave të humbur si dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit.
Përcaktimi i përgjegjësive dhe modaliteteve të bashkëpunimit mes institucioneve do të shërbejë drejt një qasje të koordinuar dhe efikase ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme
Nëse keni dijeni mbi ish – të dënuar politikë që kanë vuajtur dënimin në kampin-burg të Spaçit dhe që rezultojnë të zhdukur, për të shkarkuar formularin klikoni këtu.