Letra nga burgu

Lek Mirakaj

U dënua më 15 tetor të vitit 1980 me akuzën për agjitacion dhe propagandë me 10 vjet heqje lirie. Më 27 mars të vitit 1987 fiton lirinë me punë dhe amnisti.

Fragment nga një letër e skanuar për AIDSSH-në nga origjinali, pjesë e koleksionit personal të z. Lekë Mirakaj.

                                                                                                                    29.11.1984

Të dashturit e mij,

Jam mir, po ashtu dëshiroj edhe për ju. Po bahet gati një muej këtu dhe letër nga ju nuk kam marrë, nuk di si ta shpjegoj këtë. Mund ta shpjegoni me lodhjen e ku ta di unë, sidoqoftë nëse ju kanë shteru ndjenjat e mendimet, mund të më dërgoni periodikisht ndonjë telegram që të marr vesht të paktën se jeni shëndoshë. Më ke pas shkruajt se don me ardh në dhjetor, ban si ta shofësh të arsyeshme, duke pas gjithmonë parasysh motin, në qoftë se ta merr mendja për një arsye apo tjetër, trikon e çorapet mi dërgo me pako. Mirë do ishte të vinit me Davën, me një rrugë e dy punë. Në qoftë se Manjola nuk punon me librin, ma sill mue. Koha deri tani ka qenë shumë e mirë, në qoftë se e keni vendos do ishte mirë ta shfrytëzonit. Përqafoj mamën dhe Ertonin.

                                                                                                                                  Leka

Fragment nga një letër e skanuar për AIDSSH-në nga origjinali, pjesë e koleksionit personal të z. Lekë Mirakaj.

                                                                                                                    28.03.1984

Shumë të dashturit e mij mamë, Loli, Davë, Matildë, Manjolë, Erton, Albanë e Agostia!

Sot që po ju shkruaj këto rreshta, ti e dashtuna Loli e ti Ertoni më i shtrenjtë, në mëngjez i keni uru njëri tjetrit ditëlinjen e pa dyshim keni mendu që ju mungon diçka, urimi nga babi juej-megjithëse larg jush, ashtu si çdo ditë e sot edhe më tepër ju kam përshëndet e uru ditëlindjen e mendjen e shpirtin e kam pasë pranë jush. Uroj e shpresoj që ditëlindjen tjetër, kur Ertoni mbush 10 vjetët, babi të të zgjoj duke të puth sytë e duke të gëzu vetë, e jo më me urime telegramesh e letrash. E dashtuna Loli, letrën e datës 18.03 e kam marr, kam marrë gjithashtu edhe dy telegramet. Ju kam dërgu një telegram urimi për ditëlindje e besoj se sot duhet ta kesh marr. Tashti këto ditë jetoj me mendimin se mbas dy javësh do ju kem pranë e do gëzohem me ju. Kërkesën për takimin do e baj unë dt. 15.04 se nuk kam ba kërkesë për takim. Më shkruanje se Matilda më ka dërgu letër, ndoshta e kam marr, por nuk di të them, mbasi Matilda i shkruan letrat pa datë.

Manjola kishte fillu punën, të më shkruajë se nuk e ka marrë me mërzi punën, më vjen mirë e ishalla i prin për së mbari, më merr malli për atë shejtane dhe e dua fort. Mama si është me shëndet, Dava me fëmijë si janë, Lajdja si u ba me shëndet, Vali me fëmijë si është?  Në lidhje me muhabetin e Matildës, më duket se nuk është e hijshme që të takohet me atë djalin, e aq ma tepër Matilda. Për këtë çështje, ti e di se çfarë kërkese kam, dua të di mendimin e njerëzve të mi në Shkodër, megjithatë do bisedojmë kur të vini. Nevoja të veçanta nuk kam, me përjashtim të gjyzlykëve që të kam shkrojtur, po pate mundësi më sill duhan dhe po gjete kafe. Po e përfundoj duke ju uru edhe një herë ty e Tonit ditëlindjen e viti tjetër ishalla së bashku. Ju puth të gjithëve me mall. Mojsit i nevojiten një palë shapka

                                                                                                                                  I jueji babai Leka

Telefon: +355694118025
 

© 2025 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.