Shërbime AIDSSH
Pranë AIDSSH-s mund të aplikohet për këto vërtetime:
1. Burg-minierë
2. Internim- dëbime
Dokumentet që duhen:
1. Formulari i aplikimit
2. Fotokopje e kartës së identitetit/autorizim
Kush mund të aplikojë:
1. Vetë personi
2. Përfaqësues me prokurë/autorizim
Afatet e zgjidhjes për aplikimet në lidhje me vërtetim internimi dhe periudhën e burgimit:
Kur kërkesa pranë Autoritetit është për vërtetim internimi, afati është 10 – 14 ditë.
Kur kërkesa pranë Autoritetit është për periudhën e burgimit, afati është 14 – 30 ditë.
Si mund të aplikoj:
– Online (për të aplikuar online klikoni këtu)
– Në institucionin e AIDSSH
Adresa e institucionit: Njësia Administrative nr. 4, Rruga e Dibrës, garnizoni “Skënderbej”, Tiranë
Zyra pritëse: Drejtoria e Informacionit, “Sektori i Kërkesave të Qytetarëve dhe Shërbimeve Rehabilituese”.
– Me postë në adresën: Njësia Administrative nr. 4, Rruga e Dibrës, garnizoni “Skënderbej”, Tiranë
- Nuk ka tarifë për të marrë këtë shërbim (pa pagesë)
- Si të veproni në rast se keni ankesë (aplikim i ri)
Për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të ndihmuar sa më shumë procesin e rehabilitimit të ish- të përndjekurve politikë. AIDSSH ka propozuar disa ndryshime ligjore.
1. Masë dëmshpërblimi fikse të përcaktuar në ligj në vend të dëmshpërblimit aktual.
Me qëllim njohjen e faktit të internimit në kampe me tela me gjemba dhe shpërblimin e drejtë të personave që vuajtën në këto kampe, përmes shfrytëzimit maksimal të dokumentacionit të disponuar të para dhe pas viteve 1991, AIDSSH sugjeron në projektvendimin “Për propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë si më poshtë:
Rishikimin e dispozitave të ligjit nr. 9831/2007 me qëllim adresimin e problematikës së lartpërmendur dhe mundësimin e përfitimit, qoftë edhe të një shumë simbolike, për këdo që ka vuajtur në kampe internimi me tela me gjemba, për të cilin është e mundur nxjerrja e informacionit nga burimet arkivore të disponuara.
Ndryshimet mund të prekin nenin 1, paragrafi 2, nenin 3, nenin 4, nenin 6 gërma “b” dhe në nenin 20 me qëllim (1) parashikimin e mundësisë së verifikimit të dokumenteve të ndryshme (si të lartpërmendurat) dhe mbërritjes tek një përfundim mbi internimin në kampe me tela me gjemba si rrjedhojë e verifikimit dhe analizimit të të dhënave nga këto dokumente, si dhe (2) për rastet e pamundësisë së evidentimit të numrit të saktë të ditëve të kaluara në internim në kampe me tela me gjemba, parashikimin e një mase dëmshpërblimi fikse të përcaktuar në ligj në vend të me 1000 lekë për ditë siç është parashikimi aktual.
2. Për njohjen dhe dëmshpërblimin e personave që kanë lindur në internim apo kanë qenë nën moshën 15 vjeç në kushte internimi.
AIDSSh ka konstatuar vështirësinë e dokumentimit dhe pengesa për dëmshërblime të personave që kanë lindur në internim ose kanë qenë të mitur në kohën e internimit, pasi aktet administrative apo dokumente zyrtarë të kërkuar nga kuadri ligjor në fuqi kanë qenë për prindërit, për të lindurit a të miturit në internim, nuk ka akte individuale të kësaj natyre. Për më tepër, Udhëzimi nr. 2, date 4.1.1992 në pikën 10 të tij parashikon se koha e internimit dhe e dëbimit për motive politike, nuk njihet si vjetërsi pune përpara moshës 15 vjeç.
AIDSSH sugjeron në projektvendimin “Për propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë parashikim të shprehur ligjor për përfitimin e dëmshpërblimit të të lindurve apo atyre që ishin të mitur në internim.
3. Për më shumë kohë për efekte verifikimi dhe dokumentimi.
AIDSSh ka konstatuar se verifikimet e nevojshme për të gjithë përfituesit potencialë të ligjit, përfshirë ata që mund të shtohen nëse merren në konsideratë sugjerimet si më sipër, kërkojnë kohën e tyre. Rrjedhimisht, sugjerohet që afati i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, në nenet 19 dhe 23, të jetë 31 dhjetori i vitit 2025, afat i cili mund të mbahet në konsideratë edhe në dispozita tranzitore.
4. Prioritizimi i rrethit të familjarëve për viktimat e vrara apo të ekzekutuara gjatë periudhës 30.11.1944-01.10.1991, ripërkufizimi dhe rishikimi i masës së dëmshpërblimit.
Mbështetur mbi shqetësime të përcjella nga grupe të interesit si shoqatat e ish-të përndjekurve, sugjerojmë vlerësimin e mundësisë së ndryshimeve në nenet 7 dhe 8 të ligjit nr. 9831/2007 me qëllim (1) harmonizim sa më të lartë të përkufizimit, në nenin 8, të “rrethit të familjarëve” dhe rrethit të trashëgimtarëve me Kodin Civil, për qëllime të përfitimit sipas nenit 7, si dhe (2) rishikimin e masës së dëmshpërblimit sipas nenit 7.
Masa e dëmshpërblimit të mos barazohet me atë të 8 viteve burgim të padrejtë, por minimalisht me atë të dënimit maksimal me burgim 25 vite. Një ndryshim i tillë, nëse do të realizohej, do të duhej të shoqërohej edhe me rregullime të nevojshme tranzitore që mbajnë në konisderatë, ndër të tjera, përfitimet dhe përfituesit aktualë sipas dispozitave në fuqi dhe përfitimet që do të shtoheshin nga ndryshimi i dispozitës (përfshirë dhe procedurë dhe afat për një përfitim të tillë). AIDSSH sugjeron që kjo kategori të përfshihet në rrethin e kategorive prioritare.
5. Dëmshpërblimet e mbetura.
Si rrjedhojë e shqetësimeve të artikuluara nga grupet e interesit, AIDSSH sugjeron, të mbahet në konsideratë përshpejtimi i procesit të pagesës së dëshpërblimeve të mbetura sipas kategorive prioritare dhe prioritizimit të kategorive. Për përfitues për të cilët për shkak moshe a gjendjeje shëndetësore (si kur përfituesi është vetë ish-i përndjekuri përfitues, ashtu edhe për familjarë të viktimave të vrara apo të ekzekutuara), përfitimi i plotë i masës së dëmshpërblimit duket të ketë probabilitet të ulët, të shihet mundësia e pagesës së shumës së mbetur në një derdhje të vetme e jo me këste, në një kohë sa më të afërt.
6. Shpërblim për punë të detyruar gjatë vuajtjes së dënimit.
Për të gjithë ish-të përndjekurit të cilët në kushtet e vuajtjes së dënimit kanë kryer edhe punë të detyruar (si për shembull në miniera) AIDSSH sugjeron të konsiderohet mundësia e një pagese fikse mujore si shpërblim për punën e detyruar, e cila nuk prek përfitimet e tjera të deritanishme.