Të huajt për Spaçin

Amnisty International për Spaçin

Mungesa e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe veçanërisht kushtet në të cilën vuanin dënimin të burgosurit politikë, ishin edhe në vëmendjen e opinionit publik botëror.  Kushtet në kamp – burgun e Spaçit, me një popullsi prej mbi 500 të burgosurish politikë, janë cilësuar veçanërisht të ashpra në raportin për të drejtat e njeriut të vitit 1982 të përgatituar dhe publikuar nga organizata “Amnisty International”. (foto)

Sipas këtij raporti të burgosurit, nxirrnin bakër me turne prej tetë orësh, 6 ditë në javë, pa asnjë lloj veshjeje mbrojtëse. Objektivat e prodhimit ishin përshkruar si të tepërta dhe për të burgosurit të cilët nuk arrinin ti përmbushnin këto objektiva, do të përballeshin me orë shtesë pune ose edhe izolim. Të burgosurit flinin në baraka të pangrohura, me dyshekë kashte mbi platforma druri. Ushqimi kishte mungesë cilësie dhe sasie. Ishte e nevojshme të plotësohej me pako nga familjet e të burgosurve dhe me ushqime te prodhuara në fermat bashkëngjitur kampeve të burgut, të cilat bliheshin me pagat e vetë të burgosurve. Kujdesi mjekësor, i ofruar nga stafi i rekrutuar kryesisht nga radhët e të burgosurve, ishte i pamjaftueshëm. 

Në raportin e botuar në dhjetor 1984, organizata “Amnesty International” shprehej e shqetësuar për mohimin e të drejtave të njeriut dhe kufizimin e lirive politike. Ndërsa vinte në dukje mungesën e lirive themelore, sociale dhe politike për të gjithë shqiptarët, “Amnesty International” raportoi mungesën e garancive ligjore për të burgosurit politikë gjatë hetimeve dhe procedurave gjyqësore. (foto)

Një letër nga Austria

Në Fondin nr. 10, dosja nr. 278, Viti.1985, gjendet një dokument i cili përmban të dhëna mbi një letër të ardhur nga Austria në adresë të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mirditë. Përmbajtja origjinale e letrës është shkruar në anglisht. Në thelb të saj, evidentohet situata e vështirë e gjendjes së të burgosurve në Spaç dhe ndër të tjera autori i letrës, L.K, shprehej për përmirësimin e jetesës në kamp dhe marrjes së masave për mbrojtjen e të dënuarve që punonin në minierë.

Reference: Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Fondi nr.10, dosja nr.278, Viti 1985

Telefon: +35542210424
 

© 2024 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.