Ekspozita

44 Portrete

Çfarë e krijon portretin e njeriut? Tiparet me të cilat identifikohen. Por a nuk janë ato të ngjashme? A nuk janë tiparet sa identifikuese aq të ngjashme sa të ngatërrojnë? Kështu kërkojmë për veçantitë tek çdo portret, një shenjë, një tipar ndryshe nga të tjerët. Dhe pastaj mësojmë emrat dhe i përdorim. Por a nuk janë edhe emrat të ngjashëm apo ndonjëherë të njëjtë? Çfarë e dallon njeriun nga njeriu? Është historia e jetës që nis me lindjen dhe vijon me fëmijërinë, rininë dhe moshimin, por a nuk janë edhe këto të njëjtat faza rritjeje për secilin?

Atëherë cila është përgjigjja? Materia që mbush jetën, e bën të dallueshëm njeriun nga njeriu, histori të ndryshme që krijohen. Kur shumë prej tyre ngjajnë e bashkohen në kohë dhe vende, shkaqe dhe pasoja, ato shndërrohen në histori brezash. Aty fillon të kërkosh për detajet që i karakterizojnë këto histori jo aq për të shquar dallime sesa për të ndërtuar strukturën shtypëse të diktaturës. Një shenjë dhune në ballë, shqisa dhe gjymtyrë të dëmtuara, mendje që përpiqen të kujtojnë saktësisht çdo detaj, shpirtra që presin t’u kërkohet falje, jetë që meritojnë kujtim dhe mirënjohje për qëndresën dhe mbijetesën rraskapitëse, dëshirë për t’ia bërë të njohur të gjithë botës, totalitarizmin që vuajtën në shpirt dhe trup, dëshmi të së vërtetës që u mbajtën peng me një kapak të rëndë propagandistik dhe përndjekës, pesha e të cilit ndihet edhe sot. Është një rrëfim i gjatë në 44 portrete nga 44 dëshmi që ish-të dënuar politikë në kamp-burgun e Spaçit dhe të afërm të tyre kanë dhënë për AIDSSH-në. Një kalvar i gjatë regjistrimesh në Tiranë dhe qytete të tjera, atje ku jetojnë ata pas rifitimit të lirisë me ardhjen e demokracisë. Janë portrete guximi dhe qëndrese që duhen njohur, që duhen mësuar si një mision që e kaluara të mos harrohet. Ky është qëllimi i arkivit të dëshmive dhe ky është mesazhi që fotografi Dorian Zanaliu përcjell nëpërmjet 44 portreteve të realizuara pas orëve të gjata të dëshmive. 

Një portret është një marrëdhënie apo një dialog midis artistit dhe subjektit, është një mënyrë për të rrëfyer në emër të së ardhmes me tiparet fizike dhe shpirtërore. Një portret si këto, është gjithashtu një formë artistike për të shprehur mesazhet e forta të subjektit dhe artistit dhe për të ngacmuar mendimet mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë.

Shkroi: Rovena Rrozhani

Telefon: +355694118025
 

© 2025 Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Të gjitha të drejtat e rezervuara.