Dosjet e Objektit të Rëndësisë së Veçantë (Dosje ORV)
Dosjet ORV krijoheshin për objektet me rëndësi të veçantë politike, ekonomike e strategjike, si dhe për ato që paraqesnin rrezikshmëri zjarri, eksplozioni e avari, që bëheshin burim dëmi ekonomik dhe që shoqëroheshin edhe me aksidente të rënda në njerëz. Punëtori operativ që organizonte punën operative në ORV, evidentonte të gjithë elementin armik (të ashtuquajtur sipas Sigurimit të Shtetit), ndiqte të gjithë personat që merreshin në përpunim për të gjitha tendencat dhe përgjigjej për zbulimin e veprimtarisë armiqësore.
Kjo dosje përmban dy fashikuj dhe në brendësi administrohen; lista e dokumenteve që ndodhen në fashikuj, lista e punëtorëve operativë, lista e bashkëpunëtorëve, lista e personave në përpunim 2/A, kontroll operativ 2/B e kontigjent, që punon në objekt, studimi dhe përcaktimi i vendeve e pikave kyçe të ORV-së, Vendimi për krijimin e dosjes, skica për sigurimin e objektit, planet e masave operative për sigurimin e objektit, harta, historiku i objektit i cili pasurohet herë pas here. Në fashikullin e dytë janë lista e dokumenteve, lista e implikimeve, lista e regjistrimit të ngjarjeve të ndodhura në objekt të cilat sjellin ose mund të sjellin pasoja të rënda ekonomike, të dhëna të tjera që lidhen me analiza, relacione, raporte bashkëpunëtorësh, informacione të rëndësishme etj.
Dosja ORV e Spaçit
Në janar të vitit 1969, Dega e Punëve të Brendshme në Mirditë, organi i Ministrisë së Punëve të Brendshme që mbikëqyrte Repartin e Riedukimit nr. 303, Spaç, për shkak të rëndësisë politike ekonomike dhe strategjike vendosi që të hapte dosjen e “objektit të rëndësisë së veçantë për Repartin e Riedukimit nr. 303, Spaç-Mirditë”, shkurtimisht njohur si Dosja ORV e Spaçit.
Në nëntor të vitit 1991 pak muaj pas mbylljes së kampit-burg të Spaçit dhe disa muaj pasi në Shqipëri ishte rrëzuar regjimi komunist, dosja ORV u arkivua përfundimisht.
Më 5 Gusht 2018, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, deklasifikoi dosjen e Repartit të Riedukimit nr. 303 (ORV), Spaç.